Profeci e pazakontë para Skoci–Brazil – Fallxhorja braziliane flet për alienë; regojnë autoritetet

Një parashikim i pazakontë ka tërhequr vëmendjen e tifozëve të futbollit në prag të ndeshjes mes Skocisë dhe Brazilit në Kupën e Botës 2026.

Në qendër të debatit është Elisângela de Souza, e njohur në Brazil si Vó Bahiana, një spiritualiste dhe lexuese taroti me më shumë se 23 milionë ndjekës në rrjetet sociale. Ajo ka pretenduar se ka parë në ëndërr një skenar të jashtëzakonshëm, sipas të cilit anije kozmike do të shfaqen mbi stadiumin ku zhvillohet ndeshja.

Sipas deklaratave të saj, qenie jashtëtokësore dhe të ashtuquajturit “Reptilianë” do të zbresin në stadium dhe do të rrëmbejnë qindra persona, përfshirë lojtarë, tifozë dhe pjesëtarë të stafit organizativ. Spiritualistja ka pohuar se në vizionin e saj ka parë skena paniku, me njerëz që bërtasin dhe qajnë, duke u bërë thirrje ndjekësve të tregojnë kujdes.

Megjithëse pretendimet janë pritur me skepticizëm, popullariteti i saj i madh në rrjetet sociale ka bërë që çështja të marrë jehonë të gjerë. Për këtë arsye, autoritetet amerikane kanë reaguar publikisht.

Sipas raportimeve, FBI dhe Departamenti Amerikan i Shtetit kanë deklaruar se nuk disponojnë asnjë informacion apo provë që mbështet mundësinë e një ngjarjeje të tillë, duke siguruar se nuk ekziston asnjë kërcënim i identifikuar për sigurinë e ndeshjes.

Ndërkohë, tifozët skocezë e kanë trajtuar situatën me humor. Në rrjetet sociale nuk kanë munguar komentet ironike, ku disa kanë bërë shaka duke sugjeruar që “rrëmbimi nga alienët” të përfshihet në siguracionet e udhëtimit, ndërsa të tjerë kanë shkruar se Skocia do të kishte më shumë shanse për fitore nëse jashtëtokësorët do të merrnin me vete lojtarët brazilianë.

Pavarësisht profecive dhe humorit në internet, vëmendja mbetet te fusha e lojës, ku Brazili dhe Skocia do të përballen në një sfidë të rëndësishme të Grupit C. Nëse ndeshja do të prodhojë spektakël futbollistik apo thjesht do të mbetet në kujtesë për këtë histori të pazakontë, mbetet për t’u parë.