“Rama mbetet pa fjalë” – kështu e përshkruan Washington Post situatën politike në Shqipëri, duke i kushtuar një artikull të gjatë protestave të Gjeneratës Z kundër kryeministrit Edi Rama.
Sipas gazetës amerikane The Washington Post, protestat fillimisht nisën si reagim ndaj një projekti luksoz të lidhur me familjen Kushner, por shpejt u shndërruan në një lëvizje më të gjerë kundër qeverisjes së Ramës, korrupsionit dhe mënyrës së drejtimit të vendit ndër vite.
Artikulli thekson se në qendër të këtyre tubimeve qëndron një brez i ri protestuesish, i njohur si Gjenerata Z, i cili po përdor humor, meme dhe forma kreative komunikimi në rrjetet sociale për të shprehur pakënaqësinë e tij. Sipas Washington Post, ky stil proteste ka arritur të sfidojë mënyrën tradicionale të komunikimit politik të kryeministrit, i njohur për aftësinë e tij në përdorimin e medias dhe imazhit publik.
Në analizën e saj, gazeta nënvizon gjithashtu se refuzimi i fundit i Ramës për heqjen e imunitetit të një ish-zëvendëskryeministreje ka ndikuar në perceptimin ndërkombëtar për reformat në Shqipëri, duke ngritur pikëpyetje mbi procesin e integrimit europian.
Washington Post përshkruan gjithashtu evolucionin politik të Ramës, nga artist dhe kryetar bashkie në një lider me profil të fortë ndërkombëtar, i cili ka promovuar transformime urbane dhe zhvillimin e turizmit në Shqipëri. Megjithatë, sipas artikullit, një pjesë e madhe e të rinjve nuk e ndan këtë vlerësim, duke shprehur zhgënjim për korrupsionin, emigracionin dhe pabarazitë ekonomike.
Protestat, të cilat sipas gazetës kanë marrë shtrirje të gjerë dhe karakter të larmishëm shoqëror, përfshijnë grupe të ndryshme ideologjike dhe sociale që ndihen të përjashtuara nga sistemi politik aktual. Ato janë përshkruar si një kombinim i revoltës politike dhe kulturës digjitale të brezit të ri.
Artikulli përmbyllet me idenë se, ndryshe nga e kaluara, Rama po përballet me një sfidë të re: një lëvizje që nuk kontrollohet lehtë përmes komunikimit politik apo imazhit publik, duke e vënë për herë të parë në një pozicion mbrojtës në raport me narrativën publike.









