VAPA EKSTREME/ Paralajmërimi i ekspertëve: Temperaturat e larta mund të ndikojnë në bateritë e telefonave

Temperaturat e larta që po përfshijnë shumë vende të Europës nuk po ndikojnë vetëm në shëndetin e qytetarëve, por edhe në pajisjet elektronike që përdoren çdo ditë. Ekspertët paralajmërojnë se telefonat inteligjentë janë veçanërisht të ndjeshëm ndaj vapës ekstreme.

Sipas specialistëve, ekspozimi i zgjatur i telefonit ndaj rrezeve të diellit ose lënia e tij brenda një automjeti të parkuar mund të shkaktojë mbinxehje të baterisë, ulje të performancës dhe, në raste të caktuara, dëmtime të përhershme të pajisjes.

Më të rrezikuara janë bateritë litium-jon, të cilat përdoren në shumicën e telefonave modernë. Temperaturat e larta mund të ndikojnë në funksionimin e tyre, duke përshpejtuar degradimin e baterisë dhe duke reduktuar jetëgjatësinë e saj.

Për të mbrojtur pajisjet, shumë telefona aktivizojnë automatikisht mekanizma sigurie, si ulja e performancës ose fikja e përkohshme, me qëllim shmangien e dëmtimeve të mëtejshme.

Ekspertët rekomandojnë që telefonat të mos lihen në diell për periudha të gjata, të shmanget karikimi në ambiente shumë të nxehta dhe të kufizohet përdorimi i aplikacioneve që konsumojnë shumë energji gjatë orëve me temperatura më të larta.

Valët e të nxehtit po krijojnë probleme edhe në sektorë të tjerë, duke përfshirë automjetet elektrike, transportin hekurudhor dhe rrjetet energjetike, ndërsa Europa përballet me një verë të shoqëruar nga temperatura rekord.