Tetë lojtarë ende pa debutuar – Gjermania pritet të bëjë rotacion ndaj Ekuadorit

Kombëtarja e Gjermanisë e ka siguruar tashmë vendin e parë në grup, ndaj ndeshja e fundit e fazës së grupeve kundër Ekuadorit mund të sjellë ndryshime të shumta në formacionin e Julian Nagelsmannit.

Pas fitoreve ndaj Curaçaos dhe Bregut të Fildishtë, “Pancerët” nuk kanë më presion rezultati, duke hapur kështu mundësinë që disa futbollistë të marrin minutat e para në këtë Kupë Bote. Aktualisht, tetë lojtarë të skuadrës gjermane ende nuk kanë debutuar në turne.

Në mesin e tyre janë portierët rezervë Oliver Baumann dhe Alexander Nübel, të cilët kanë mbetur në pritje për shkak të rikuperimit në kohë dhe paraqitjeve të qëndrueshme të Manuel Neuer. Pa minuta aktivizimi mbetet edhe mbrojtësi Malick Thiaw, i cili pas largimit të Nico Schlotterbeck është ngjitur në hierarkinë e qendërmbrojtësve.

Në repartin e mesfushës ende nuk kanë marrë rastin e tyre Pascal Groß, Angelo Stiller dhe Assan Ouédraogo, ndërsa në sulm Maximilian Beier dhe Nick Woltemade vazhdojnë të presin shansin për t’u aktivizuar.

Deri tani, Nagelsmann ka përdorur 18 nga 26 futbollistët e grumbulluar për Botërorin, një shifër që përputhet me mesataren e skuadrave pjesëmarrëse. Japonia dhe Meksika kryesojnë për numrin e lojtarëve të aktivizuar, me nga 22 secila, ndërsa Portugalia dhe Panamaja kanë përdorur vetëm 15 futbollistë deri në këtë fazë të turneut.

Megjithatë, nuk do të ishte hera e parë që disa lojtarë gjermanë e mbyllin një Botëror pa luajtur asnjë minutë. Në edicionin e vitit 2022, ku Gjermania u eliminua që në fazën e grupeve, Marc-André ter Stegen, Kevin Trapp, Armel Bella-Kotchap, Christian Günter, Julian Brandt dhe Karim Adeyemi mbetën gjatë gjithë turneut në stol.