Pas 49 ditësh tensione në Bolivi – Marrin fund protestat masive që kërkonin rrëzimin e presidentit

Pas më shumë se shtatë javësh protestash dhe bllokadash që paralizuan pjesën më të madhe të vendit, Bolivia po i rikthehet gradualisht normalitetit. Autoritetet njoftuan se të gjitha bllokadat rrugore janë hequr, duke i dhënë fund një prej krizave më të gjata sociale dhe politike të viteve të fundit.
Protestat masive, të udhëhequra nga fermerë, komunitete indigjene dhe organizata të punëtorëve, kishin si kërkesë kryesore dorëheqjen e presidentit të vendit, Rodrigo Paz. Në kulmin e tyre, demonstruesit ngritën rreth 100 pika bllokimi në rrugët kryesore të vendit, duke shkaktuar mungesa të theksuara të ushqimeve, karburanteve dhe mallrave të tjera bazë.
Heqja e bllokadave ka sjellë përmirësim të menjëhershëm të furnizimeve në qytetet më të prekura, përfshirë kryeqytetin administrativ La Paz dhe qytetin fqinj El Alto, ku mungesat kishin krijuar vështirësi të mëdha për qytetarët.
Kriza arriti kulmin kur presidenti Paz shpalli gjendjen e jashtëzakonshme, duke ndaluar protestat për 90 ditë dhe duke urdhëruar forcat e policisë dhe ushtrinë të ndërhynin për të hapur rrugët e bllokuara. Pas operacioneve të zhvilluara në disa rajone të vendit, autoritetet njoftuan rikthimin e qarkullimit normal.
Ministri i Punëve Publike, Mauricio Zamora, deklaroi se rrugët janë tashmë të lira dhe se qeveria po punon për rikuperimin e dëmeve ekonomike të shkaktuara nga bllokadat.
Ndërkohë, Shtetet e Bashkuara dhe rreth pesëmbëdhjetë vende të tjera të kontinentit amerikan shprehën shqetësimin për ndikimin e protestave në jetën e qytetarëve dhe ekonominë boliviane. Në një deklaratë të përbashkët, ato mbështetën qeverinë e zgjedhur në mënyrë demokratike dhe u bënë thirrje organizatorëve të protestave që të ndjekin rrugën e dialogut dhe të respektojnë rendin kushtetues.
Qeveria boliviane ka akuzuar ish-presidentin Evo Morales se qëndron pas organizimit të protestave dhe financimit të tyre, akuza që deri më tani nuk janë shoqëruar me prova publike. Nga ana tjetër, Morales njoftoi se demonstratat do të pezullohen deri në një njoftim të dytë, duke hapur rrugën për uljen e tensioneve politike në vend.
Me përfundimin e bllokadave, Bolivia hyn në një fazë të re, ku sfida kryesore mbetet rikthimi i stabilitetit politik dhe rimëkëmbja ekonomike pas javëve të gjata të përplasjes mes qeverisë dhe protestuesve.