“Irani është në prag të rrëzimit” – Trump shpërthen ndaj Senatit: Po më sabotoni në momentin vendimtar

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, ka reaguar me tone të ashpra ndaj Senatit amerikan, pasi ky institucion miratoi një rezolutë që kërkon kufizimin e operacioneve ushtarake kundër Iranit pa autorizimin e Kongresit. Kreu i Shtëpisë së Bardhë e cilësoi votimin si një veprim të gabuar, të nxituar dhe të dëmshëm për strategjinë amerikane në një moment që, sipas tij, është vendimtar për presionin ndaj Teheranit.

Përmes një postimi në rrjetin social Truth Social, Trump shprehu hapur pakënaqësinë e tij ndaj senatorëve që mbështetën rezolutën, duke argumentuar se ajo është miratuar pikërisht në kohën kur Irani ndodhet në pozitën më të dobët dhe përballet me vështirësi serioze.

“E kam Iranin në telashe, gati për t’u rrëzuar, dhe Senati amerikan vendos të zhvillojë një votim të parakohshëm e pa kuptim për Aktin e Pushteteve të Luftës”, shkroi presidenti amerikan.

Rezoluta u miratua me 50 vota pro dhe 48 kundër. Edhe pse nuk ka efekt të drejtpërdrejtë detyrues dhe konsiderohet kryesisht simbolike, ajo shpreh kundërshtimin e një pjese të Kongresit ndaj vazhdimit të veprimeve ushtarake pa një miratim të qartë parlamentar.

Trump pretendon se vendimi i Senatit dobëson pozicionin negociues dhe ushtarak të administratës së tij, duke krijuar pengesa të panevojshme në përballjen me Republikën Islamike të Iranit.

“Këta senatorë sapo ma bënë punën shumë më të vështirë. Megjithatë, unë do ta çoj deri në fund këtë çështje, në një mënyrë ose në një tjetër, sepse gjithmonë arrij ta realizoj atë që kam vendosur”, deklaroi ai.

Deklaratat e presidentit vijnë në një kohë tensionesh të larta mes Uashingtonit dhe Teheranit, ndërsa debati për kompetencat e presidentit në përdorimin e forcës ushtarake pa miratimin e Kongresit vazhdon të mbetet një nga temat më të nxehta në politikën amerikane.

Reagimi i Trump pritet të thellojë përplasjen me kundërshtarët e tij politikë në Senat, të cilët argumentojnë se çdo veprim ushtarak afatgjatë duhet të kalojë përmes procedurave kushtetuese dhe të marrë mbështetjen e përfaqësuesve të zgjedhur të popullit amerikan. Në anën tjetër, presidenti këmbëngul se presioni maksimal ndaj Iranit duhet të vazhdojë pa pengesa, duke e konsideruar regjimin iranian në një pikë kritike të dobësimit të tij.