Hondurasi po përgatitet të blejë dronë të prodhimit ukrainas në një përpjekje të re për të goditur trafikun e drogës, krimin e organizuar dhe për të forcuar sigurinë në kufijtë e vendit.
Lajmi u konfirmua nga presidenti i Hondurasit, Nasry Asfura, i cili deklaroi se teknologjia e avancuar ukrainase mund të ndihmojë autoritetet të monitorojnë zonat e largëta dhe të luftojnë më me efikasitet grupet kriminale që operojnë në territorin e vendit.
Nisma vjen pas takimit që Asfura zhvilloi javën e kaluar në Kiev me presidentin ukrainas Volodymyr Zelenskyy. Gjatë bisedimeve, Zelensky ofroi bashkëpunim në fushën e teknologjisë ushtarake, me fokus të veçantë te sistemet e dronëve, një sektor ku Ukraina ka fituar përvojë të konsiderueshme gjatë luftës me Rusinë.
“Po flasim për dronë që do të mbrojnë kufijtë tanë, do të monitorojnë territorin dhe do të ndihmojnë në luftën kundër krimit të organizuar me teknologji të nivelit të lartë”, deklaroi Asfura gjatë Asamblesë së Përgjithshme të Organizatës së Shteteve Amerikane në Panama.
Sipas presidentit hondurasian, trafiku i drogës është kthyer në një kërcënim serioz për sigurinë kombëtare, ndërsa rrjetet kriminale po shtrijnë gjithnjë e më shumë aktivitetin e tyre në rajone të largëta dhe të vështira për t’u monitoruar.
Ukraina konsiderohet sot një nga liderët botërorë në zhvillimin dhe përdorimin e teknologjisë së dronëve. Që prej nisjes së luftës në shkallë të plotë me Rusinë në vitin 2022, forcat ukrainase kanë përdorur gjerësisht sisteme pa pilot për zbulim, mbikëqyrje dhe operacione luftarake, duke e kthyer vendin në një qendër të rëndësishme inovacioni në këtë sektor.
Ndërkohë, Hondurasi vazhdon të përballet me sfida të mëdha sigurie. Vendi është prej vitesh një korridor kryesor për trafikun e kokainës nga Amerika e Jugut drejt Shteteve të Bashkuara, ndërsa autoritetet kanë zbuluar së fundmi edhe plantacione dhe laboratorë të përpunimit të drogës brenda territorit të tij.
Krimi i organizuar dhe bandat famëkeqe si MS-13 dhe Barrio 18 vazhdojnë të ushtrojnë ndikim në zona të ndryshme të vendit, duke e mbajtur nivelin e dhunës ndër më të lartët në rajon.
Përveç përdorimit në operacionet e sigurisë, presidenti Asfura bëri të ditur se dronët ukrainas mund të shfrytëzohen edhe për qëllime civile, përfshirë monitorimin e tokave bujqësore dhe zhvillimin e sektorit të agrikulturës.
Marrëveshja e mundshme shihet si një hap i rëndësishëm në zgjerimin e bashkëpunimit mes Hondurasit dhe Ukrainës, por edhe si një tregues i ndikimit në rritje të teknologjisë ukrainase përtej fushës së betejës në Evropë.









