Rama sulmon Dritan Goxhajn: Kur protestës t’i bien puplat false, fitimtare do të dalë PS-ja

Kryeministri Edi Rama ka reaguar pas publikimit të pesë kërkesave të grupit organizator të protestës, ku si kërkesë kryesore u artikulua dorëheqja e tij dhe e qeverisë.

Përmes një postimi në rrjetet sociale, Rama ironizoi protestën dhe një prej figurave të saj, Dritan Goxhaj, duke rikthyer akuzat e tij për ndikime të jashtme dhe duke përmendur sërish Iranin.

Kreu i qeverisë u shpreh se që në fillim ka paralajmëruar se protesta do të zbulojë fytyrën e saj të vërtetë me kalimin e kohës, ndërsa shtoi se përfituesit e vetëm të kësaj lëvizjeje do të jenë Partia Socialiste dhe qeveria.

“Mos harroni çfarë ju kam thënë qysh në fillim: Dy fitimtarë do të dalin kur kësaj proteste t’i bien të tëra puplat false të flamingove, Partia Socialiste që do të bëhet më e fortë dhe qeverisja jonë që do të përmirësohet shumë ndjeshëm”, shkroi Rama.

Deklarata e kryeministrit vjen në një moment kur protestuesit kanë ashpërsuar qëndrimet ndaj qeverisë, duke e cilësuar dorëheqjen e Ramës si një kërkesë të panegociueshme dhe duke kërkuar krijimin e një qeverie teknike dhe zhvillimin e zgjedhjeve të parakohshme.