TRONDITET GREQIA/ Urdhër arresti evropian për Avramopoulos – Ish-komisioneri i BE-së përfshihet në skandalin “Qatargate”

Një zhvillim i bujshëm ka tronditur skenën politike greke dhe institucionet evropiane. Autoritetet belge kanë lëshuar një urdhër arresti evropian ndaj ish-komisionerit evropian dhe deputetit aktual grek, Dimitris Avramopoulos, në kuadër të hetimeve që lidhen me skandalin e njohur ndërkombëtarisht si Qatargate.

Sipas raportimeve të mediave greke, Avramopoulos dyshohet për përfshirje në një organizatë kriminale, ndërsa hetuesit po shqyrtojnë një përfitim financiar prej rreth 73 mijë eurosh, që mendohet të jetë marrë në kuadër të aktivitetit të tij pas largimit nga detyra si komisioner evropian.

Burimet bëjnë me dije se ish-zyrtari i lartë evropian ishte thirrur për të dëshmuar para autoriteteve belge rreth një vit më parë, por nuk ishte paraqitur. Mospjesëmarrja e tij në procesin hetimor konsiderohet nga hetuesit si një rrethanë rënduese, e cila ka ndikuar në vendimin për lëshimin e urdhrit evropian të arrestit.

Në qendër të hetimit ndodhet bashkëpunimi i Avramopoulos me një organizatë joqeveritare të themeluar nga ish-eurodeputeti italian Antonio Panzeri, një nga figurat kryesore të përfshira në aferën “Qatargate”.

Sipas të dhënave që po hetohen, pas përfundimit të mandatit të tij në Komisionin Evropian, Avramopoulos ka ofruar shërbime për këtë organizatë, duke përfituar një pagesë mujore prej 5 mijë eurosh. Autoritetet belge po analizojnë nëse këto pagesa kanë qenë të ligjshme apo kanë shërbyer si mekanizëm për ndikim të paligjshëm dhe korrupsion.

Skandali “Qatargate” konsiderohet një nga aferat më të mëdha të korrupsionit që kanë goditur institucionet evropiane në vitet e fundit, me akuza për ryshfet, ndikim politik dhe financime të fshehta që lidhen me interesa të huaja në Parlamentin Evropian.

Lëshimi i urdhrit të arrestit ndaj Avramopoulos pritet të sjellë zhvillime të reja në hetim dhe të rrisë presionin mbi figurat politike që janë përmendur në këtë dosje të bujshme.