Kancelari gjerman Friedrich Merz ka deklaruar se Mali i Zi ndodhet shumë pranë realizimit të objektivit strategjik për anëtarësim në Bashkimin Evropian, duke e cilësuar vendin si praktikisht të gatshëm për t’u bërë pjesë e bllokut evropian.
Në përfundim të samitit dyditor të liderëve të Bashkimit Evropian në Bruksel, Merz theksoi se procesi i negociatave me vendet e Ballkanit Perëndimor ka zgjatur prej afro dy dekadash dhe se Mali i Zi është shteti që ka bërë përparimin më të madh drejt anëtarësimit.
“Ne kemi negociuar me këto vende për gati 20 vjet dhe të paktën njëra prej tyre, Mali i Zi, është praktikisht gati për anëtarësim në Bashkimin Evropian”, deklaroi kancelari gjerman.
Sipas tij, shumica dërrmuese e kapitujve negociues janë mbyllur tashmë, duke e afruar Podgoricën me fazën finale të procesit të integrimit evropian.
Merz nënvizoi se një nga çështjet kryesore që po diskutohet aktualisht në Bruksel lidhet me mënyrën se si do të realizohet zgjerimi i ardhshëm i BE-së. Ai tha se ekzistojnë argumente të forta si për pranimin e vendeve të Ballkanit Perëndimor në grup, ashtu edhe për anëtarësimin e tyre në mënyrë individuale, sipas ritmit të reformave dhe përmbushjes së kritereve.
“Ka arsye të mira që vendet e Ballkanit Perëndimor të anëtarësohen së bashku, por po aq arsye që ato të anëtarësohen njëra pas tjetrës. Kjo do të jetë pjesë e diskutimeve të ardhshme në Këshillin Evropian”, u shpreh ai.
Kancelari gjerman pranoi se gjatë viteve të fundit procesi i zgjerimit kishte hyrë në një fazë ngërçi dhe pasigurie, ku mungonte një vizion i qartë për të ardhmen e vendeve të rajonit. Ai tha se së bashku me presidentin francez Emmanuel Macron po punojnë për të paraqitur një plan konkret që do t’i japë një shtysë të re procesit të integrimit evropian të Ballkanit Perëndimor.
Ndërkohë, Këshilli Evropian ka bërë të ditur se në samitin e tetorit 2026 liderët e Bashkimit Evropian do të zhvillojnë një debat strategjik mbi zgjerimin dhe reformat e brendshme të unionit, duke reflektuar mbi vrullin e ri që ka marrë procesi i pranimit dhe angazhimet e përcaktuara në Deklaratën e Granadës.
Deklaratat e Merz konsiderohen si sinjali më i fortë politik i muajve të fundit për perspektivën evropiane të Malit të Zi dhe të gjithë rajonit të Ballkanit Perëndimor.









