“Nuk isha për ndryshimin e destinacionit” – Ylli Pango “tradhëton” Berishën në gjyqin e dosjes “Partizani”

Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar vijoi këtë të hënë shqyrtimin e dosjes “Partizani”, ku në cilësinë e dëshmitarit u paraqit ish-ministri i Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, Ylli Pango. Dëshmia e tij tërhoqi vëmendje të veçantë pasi ai deklaroi se kishte mbështetur privatizimin e objekteve sportive, por jo ndryshimin e destinacionit të tyre, një qëndrim që bie ndesh me argumentet e mbrojtjes në këtë proces.

Gjatë pyetjeve të prokurorisë, Pango tha se nuk i kujtohen me saktësi detajet e ndryshimeve ligjore të ndërmarra në sektorin e sportit gjatë kohës kur drejtonte ministrinë, duke theksuar se administrimi i objekteve sportive nuk ka qenë ndër çështjet kryesore të punës së tij në atë periudhë.

Ish-ministri sqaroi se ka qenë gjithmonë në favor të përfshirjes së sektorit privat në menaxhimin apo zhvillimin e objekteve sportive, por vetëm me kushtin që ato të ruanin funksionin e tyre fillestar. Sipas tij, privatizimi apo dhënia me koncesion nuk duhet të sillte ndryshimin e destinacionit të këtyre pasurive.

Prokuroria e pyeti gjithashtu lidhur me një shkresë të majit 2007, e cila propozonte ndryshime në ligjin për sportin për të lejuar dhënien me koncesion të objekteve sportive pa cenuar destinacionin e tyre. Pango deklaroi se nuk i kujtohej arsyetimi konkret i nismës, por shtoi se modele të ngjashme aplikohen gjerësisht edhe në vende të tjera.

Sa i takon kërkesave për privatizim të paraqitura nga familja Begeja dhe subjekte të tjera, ai tha se nuk mban mend vendimet konkrete, por nënvizoi se ka qenë në mbështetje të respektimit të të drejtave të pronarëve. Megjithatë, sipas tij, pëlqimi i ministrisë nuk kishte karakter vendimmarrës dhe nuk mund të bllokonte proceset e privatizimit.

Në dëshminë e tij, Pango zbuloi gjithashtu se kishte dhënë pëlqim institucional për një procedurë privatizimi pasi kjo i ishte kërkuar nga ish-ministri Genc Ruli.

Duke folur për amendamentet e vitit 2008 në ligjin për sportin, të cilat hapën rrugën edhe për privatizimin e objekteve sportive, ai deklaroi se nuk e konsideron këtë një iniciativë personale, por pjesë të politikave të përgjithshme të qeverisë së asaj kohe në funksion të privatizimeve.

Pango tha se nuk kishte marrë pjesë në mbledhjen e Këshillit të Ministrave ku u diskutuan këto ndryshime dhe se nuk kishte dijeni për arsyet që lidhen me uljen e fondeve të investimeve në sport.

Gjatë pyetjeve të mbrojtjes, ai ritheksoi se ka mbështetur vazhdimisht parimin e ruajtjes së destinacionit të objekteve sportive, duke argumentuar se investimet private mund të sjellin zhvillim dhe modernizim, por pa cenuar funksionin sportiv të këtyre pasurive.

Në seancën e kësaj të hëne dëshmuan edhe Tetis Lubonja dhe Altin Ceni, ndërsa dëshmitari Paro Laçi nuk ishte i pranishëm.