Procesi gjyqësor për dosjen e bujshme “Partizani” do të vijojë më 6 korrik, kur pritet të zhvillohet seanca e radhës në orën 10:00. Në kuadër të hetimeve dhe shqyrtimit gjyqësor të çështjes, Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) ka thirrur si dëshmitar ish-ministrin e Mbrojtjes dhe ish-zëvendëskryeministrin Gazmend Oketa.
Thirrja e Oketës vjen në vijim të dëshmive të disa ish-zyrtarëve të lartë që kanë pasur role institucionale gjatë periudhës kur janë ndërmarrë procedurat që lidhen me kompleksin sportiv “Partizani”.
Më herët para trupit gjykues ka dëshmuar edhe ish-ministri i Ekonomisë, Genc Rruli, ndërsa në seancën e zhvilluar këtë të diel u paraqit ish-ministri i Kulturës, Turizmit, Rinisë dhe Sporteve, Ylli Pango.
Gjatë dëshmisë së tij, Pango deklaroi se një pjesë e konsiderueshme e territorit të klubit shumësportësh “Partizani” ishte e zaptuar në atë periudhë. Ai theksoi se ministria që drejtonte mbulonte një gamë të gjerë sektorësh dhe administronte mijëra dokumente, duke shtuar se nuk kujton nëse në atë kohë ishin të regjistruara shoqata që lidhen me çështjen në fjalë.
Sipas Pangos, fokusi kryesor i punës së tij si ministër ishte turizmi dhe trashëgimia kulturore, ndërsa sporti gëzonte një shkallë më të madhe autonomie institucionale.
Dosja “Partizani” mbetet një nga çështjet më të rëndësishme që po shqyrtohen nga drejtësia shqiptare. Në këtë proces, ish-kryeministri dhe kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, akuzohet për korrupsion pasiv të funksionarëve të lartë shtetërorë. Ndërkohë, dhëndri i tij, Jamarbër Malltezi, si dhe biznesmeni Fatmir Bektashi përballen me akuza për korrupsion dhe pastrim parash.
SPAK po vijon të marrë dëshmi nga ish-funksionarë dhe zyrtarë që kanë qenë pjesë e institucioneve shtetërore në kohën kur janë kryer procedurat që lidhen me privatizimin dhe zhvillimin e ish-kompleksit sportiv “Partizani”.









