Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, do të zhvillojë këtë të hënë një vizitë zyrtare në Paris, ku do të pritet nga Presidenti i Francës, Emmanuel Macron, në Pallatin Élysée. Takimi vjen në vijim të dialogut të rregullt politik mes dy vendeve dhe në një moment të rëndësishëm për procesin e integrimit europian të Shqipërisë.
Sipas agjendës zyrtare, në qendër të bisedimeve do të jetë rruga e Shqipërisë drejt anëtarësimit në Bashkimin Europian, si dhe progresi i reformave që vendi po zbaton në kuadër të negociatave me Brukselin. Franca pritet të konfirmojë mbështetjen e saj për avancimin e procesit të integrimit, duke theksuar njëkohësisht rëndësinë e përmbushjes së standardeve dhe kritereve europiane.
Dy liderët do të diskutojnë gjithashtu për forcimin e marrëdhënieve dypalëshe në fusha me interes të përbashkët, përfshirë ekonominë, arsimin, energjinë, transportin, infrastrukturën dhe mbrojtjen. Në tavolinën e bisedimeve pritet të jenë edhe investimet franceze në Shqipëri, projektet e Agjencisë Franceze për Zhvillim në sektorët e energjisë dhe mjedisit, si dhe iniciativa për hapjen e një liceu francez në qytetin e Korçës.
Vizita do të nisë me ceremoninë zyrtare të pritjes në oborrin e Pallatit Élysée, e cila do të jetë e hapur për mediat. Më pas, Rama dhe Macron do të zhvillojnë një drekë pune me dyer të mbyllura, ku pritet të trajtojnë në detaje çështjet strategjike që prekin marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe Francës, si dhe zhvillimet aktuale në rajon dhe Europë.
Takimi konsiderohet një tjetër hap në forcimin e partneritetit mes Tiranës dhe Parisit, ndërsa Shqipëria synon të përshpejtojë procesin e saj drejt anëtarësimit të plotë në Bashkimin Europian.









