‘Shqipëria e re’ është fantazi me flamingo’” – Rama shpërthen ndaj zërave kritikë brenda dhe jashtë kampit të tij politik

Kryeministri Edi Rama ka shfrytëzuar mbledhjen e Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste për të sulmuar një pjesë të zërave kritikë brenda dhe jashtë kampit të tij politik, duke përmendur emra si Elisa Spiropali, Ditmir Bushati dhe Fatos Lubonja.

Gjatë fjalës së tij, Rama u ndal te debatet mbi orientimin politik të vendit dhe procesin e integrimit në Bashkimin Evropian, duke i cilësuar disa prej qëndrimeve kritike si të shkëputura nga realiteti politik dhe historik i Shqipërisë.

Sipas tij, ka figura që kanë qenë pjesë e së njëjtës “familje politike”, por që sot, siç u shpreh ai, vënë në dyshim rëndësinë e kursit europian të vendit. Kryeministri theksoi se rruga drejt Bashkimit Evropian mbetet, sipas tij, projekti më i rëndësishëm strategjik për Shqipërinë.

Rama reagoi gjithashtu ndaj idesë së artikuluar nga disa zëra publikë për një “Shqipëri të re” apo një “marrëveshje të re politike”, duke i quajtur këto koncepte të paqarta dhe jorealiste. Në mënyrë ironike, ai i lidhi këto ide me simbolikën e flamingove, duke iu referuar edhe pjesëmarrjes së Fatos Lubonjës në protestat e fundit.

Në fund të deklaratës së tij, kryeministri u shpreh se mazhoranca nuk duhet të udhëhiqet nga debatet e ditës apo “trendet e klikimeve”, por nga objektivi afatgjatë për integrimin e Shqipërisë në Bashkimin Evropian deri në vitin 2030, të cilin e quajti prioritet kombëtar.