Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka vendosur masën e sigurisë “arrest në burg” për Eralbi Breçanin, i cili u ekstradua nga Spanja pak ditë më parë në kuadër të një hetimi të gjerë për trafik ndërkombëtar të lëndëve narkotike.
Breçani, djali i ish-zyrtarit të Policisë së Shtetit, Erzen Breçani, u soll në Shqipëri më 13 qershor përmes një operacioni të koordinuar mes Interpol Tiranës dhe Interpol Madridit. Ai mbërriti në aeroportin ndërkombëtar të Rinasit nën masa të rrepta sigurie dhe iu dorëzua menjëherë autoriteteve shqiptare.
Sipas dosjes hetimore, Eralbi Breçani dyshohet se ka qenë pjesë e një grupi kriminal të strukturuar të lidhur me Ergys Dashin dhe Ervin Matën, i përfshirë në trafikimin e sasive të mëdha të drogës nga Amerika e Jugut drejt vendeve të Europës dhe Shqipërisë.
Hetimet e Prokurorisë së Posaçme kanë ngritur dyshime se grupi kriminal ka operuar në mënyrë të organizuar në rrjete ndërkombëtare të narkotikëve, duke përdorur lidhje dhe struktura të ngritura për transportin dhe shpërndarjen e lëndëve narkotike.
Emri i Eralbi Breçanit u përfshi në dosjen e bujshme të SPAK disa vite më parë, operacion gjatë të cilit u arrestua edhe babai i tij, Erzen Breçani. Ky i fundit u lirua më pas për arsye shëndetësore, ndërsa hetimet për aktivitetin e grupit vijuan.
Me vendimin e sotëm të GJKKO-së, Breçani do të qëndrojë në paraburgim deri në përfundim të hetimeve, ndërsa SPAK po vijon mbledhjen e provave dhe dokumentimin e plotë të aktivitetit të dyshuar kriminal.









