Irani do të lejojë kalimin e anijeve nëpër Ngushticën e Hormuzit pa tarifa për një periudhë 60-ditore, ndërsa më pas planifikon të vendosë pagesa dhe shërbime të rregulluara për kalimin detar, raportoi agjencia iraniane e lajmeve “Fars”, duke cituar burime të afërta me procesin.
Sipas raportimit, gjatë dy muajve të parë pas hyrjes në fuqi të marrëveshjes, lundrimi në një nga korridoret më strategjike të transportit të naftës në botë do të jetë i lirë. Pas përfundimit të kësaj periudhe, Teherani synon të aplikojë tarifa për shërbime sigurie, transporti dhe sigurimi për anijet që kalojnë në këtë zonë.
Agjencia iraniane nuk ka saktësuar datën e hyrjes në fuqi të kësaj skeme, por thekson se ajo është pjesë e një marrëveshjeje më të gjerë të përfshirë në memorandumet mes Iranit dhe Shteteve të Bashkuara.
Në raport thuhet gjithashtu se Uashingtoni ka pranuar parimisht idenë e vendosjes së tarifave për kalimin në ngushticë, ndërsa administrimi i lundrimit do të kryhet nga Irani dhe Omani, sipas dokumentit të marrëveshjes.
Sipas burimeve të cituara nga “Fars”, në momentet përfundimtare të negociatave është shtuar një klauzolë që thekson sovranitetin e përbashkët iranian dhe omanian mbi Ngushticën e Hormuzit, duke i dhënë Teheranit rol qendror në menaxhimin e saj.
Në interpretimin e autoriteteve iraniane, termi “shërbime detare” nënkupton pranimin e pagesave që do të përfitojë Irani nga kalimi i anijeve tregtare.
Ndërkohë, njoftimi për arritjen e marrëveshjes mes SHBA-së dhe Iranit ka sjellë reagime të menjëhershme në tregjet ndërkombëtare, ku çmimet e naftës kanë shënuar rënie dhe investitorët kanë reaguar me optimizëm për uljen e tensioneve gjeopolitike.
Megjithatë, ekspertët e tregjeve paralajmërojnë se situata mbetet e brishtë. Sipas tyre, qindra anije ndodhen ende të bllokuara ose në pritje në Gjirin Persik, ndërsa kthimi në normalitet në transportin detar dhe tregtinë e energjisë pritet të jetë gradual dhe kompleks.
Analistët theksojnë se kriza e fundit ka ndryshuar ndjeshëm zinxhirët globalë të furnizimit me energji, ka rritur kostot e transportit dhe ka detyruar shumë shtete të kërkojnë alternativa të reja furnizimi, duke e bërë rikthimin në gjendjen e mëparshme një proces të ngadaltë.









