HISTORIKE/ Trump shpall arritjen e marrëveshjes me Iranin – Hapet Hormuzi, fund operacioneve ushtarake

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, ka njoftuar se Uashingtoni dhe Irani kanë arritur një marrëveshje të shumëpritur, e cila sipas tij i hap rrugën uljes së tensioneve në Lindjen e Mesme dhe rikthimit të normalitetit në një nga korridoret më të rëndësishme energjetike në botë.

Përmes një deklarate publike, Trump bëri të ditur se marrëveshja është finalizuar dhe se një nga hapat e parë do të jetë rihapja e menjëhershme e Ngushtica e Hormuzit për lundrimin ndërkombëtar, si dhe heqja e bllokadës detare amerikane ndaj porteve iraniane.

“Marrëveshja me Republikën Islamike të Iranit tashmë është përfunduar. Urime të gjithëve. Autorizoj hapjen e lirë të Ngushticës së Hormuzit dhe heqjen e menjëhershme të bllokadës detare amerikane. Anijet e botës, ndizni motorët. Le të rrjedhë nafta!”, deklaroi Trump.

Konfirmimi i presidentit amerikan u pasua edhe nga një reagim i kryeministrit të Pakistanit, Shehbaz Sharif, vendi i të cilit ka luajtur rol ndërmjetësues në negociatat mes palëve.

Sharif bëri të ditur se marrëveshja parashikon ndërprerjen e menjëhershme dhe të përhershme të operacioneve ushtarake në të gjitha frontet ku palët kanë qenë të përfshira, përfshirë edhe zhvillimet e lidhura me konfliktin në Liban.

Sipas tij, ceremonia zyrtare e nënshkrimit të marrëveshjes pritet të zhvillohet më 19 qershor në Zvicra, ku delegacionet e vendeve të përfshira do të formalizojnë dokumentin përfundimtar.

“Dëshirojmë të falënderojmë Shtetet e Bashkuara dhe Republikën Islamike të Iranit për angazhimin e tyre në gjetjen e një zgjidhjeje diplomatike dhe paqësore për konfliktin”, u shpreh Sharif.

Marrëveshja konsiderohet një zhvillim me rëndësi të madhe gjeopolitike, pasi vjen pas muajsh tensionesh, përplasjesh ushtarake dhe negociatash intensive që kishin rritur shqetësimet për sigurinë rajonale dhe tregjet globale të energjisë.

Megjithatë, pavarësisht deklaratave të Trumpit dhe Sharifit, deri tani autoritetet iraniane nuk kanë dalë me një konfirmim zyrtar lidhur me përmbajtjen e marrëveshjes apo me pretendimin se ajo është finalizuar. Për këtë arsye, vëmendja ndërkombëtare mbetet e përqendruar te reagimi i Teheranit, i cili pritet të sqarojë qëndrimin e tij në orët në vijim.