Kaos para Kryeministrisë/ Protestuesit shpërthejnë ndaj partive: “Shporruni nga sheshi, opozita jemi ne!”

Nisja e protestës së radhës para Kryeministrisë është shoqëruar me tensione dhe përplasje verbale mes qytetarëve pjesëmarrës dhe përfaqësuesve të forcave politike opozitare, të cilët kishin mbërritur në tubim për t’iu bashkuar protestës.

Një pjesë e protestuesve kundërshtuan menjëherë praninë e strukturave partiake, duke deklaruar se protesta është organizuar nga qytetarët dhe nuk duhet të përdoret si platformë politike nga asnjë parti. Me thirrje të forta dhe brohoritje të vazhdueshme, ata kërkuan largimin e përfaqësuesve politikë nga sheshi.

Situata u tensionua kur disa protestues përdorën megafonë për të shprehur pakënaqësinë e tyre, duke akuzuar partitë opozitare se po përpiqen të përvetësojnë një lëvizje qytetare që, sipas tyre, nuk përfaqëson asnjë interes politik. Gjatë tubimit u dëgjuan vazhdimisht thirrje si: “Shporrni partitë”, “Opozita jemi ne”, “Opozitë e shitur” dhe “Mos e politizoni protestën”.

Në një moment, një qytetar akuzoi publikisht deputetin e Lëvizjes Bashkë, Redi Muçi, duke pretenduar se po krijonte tensione dhe po devijonte fokusin e protestës. Deklarata e tij u shoqërua me reagime të forta nga turma, e cila vijoi të kërkonte që protesta të mbetej tërësisht qytetare.

Pavarësisht atmosferës së nxehtë dhe debateve në shesh, situata nuk degradoi në përplasje fizike. Protesta vijoi normalisht me pjesëmarrësit që shprehën pakënaqësitë e tyre ndaj qeverisë, por edhe ndaj klasës politike në përgjithësi.

Ngjarja nxori në pah një frymë mosbesimi ndaj partive politike, teksa shumë prej qytetarëve deklaruan se nuk duan që protestat të identifikohen me asnjë forcë politike, duke insistuar se ato duhet të mbeten një zë i pavarur qytetar përballë pushtetit dhe opozitës.