Një ngjarje e rëndë kriminale ka tronditur mëngjesin e kësaj të hëne qarkun e Mirditës, ku një 45-vjeçar ka humbur jetën pasi është qëlluar me armë zjarri në rrethana që ende nuk janë zbardhur nga autoritetet.
Viktima është identifikuar si Valter Lleshi, i cili sipas informacioneve paraprake është vrarë në rrugën që të çon drejt zonës së Spaçit. Ende nuk dihen motivet e ngjarjes, ndërsa hetuesit po punojnë për të rindërtuar dinamikën e plotë të krimit dhe për të identifikuar personat e përfshirë.
Menjëherë pas marrjes së njoftimit, në vendin e ngjarjes kanë mbërritur forca të shumta policie, si dhe grupi hetimor, i cili ka nisur këqyrjen e zonës dhe grumbullimin e provave materiale që mund të ndihmojnë në zbardhjen e rastit.
Burime paraprake bëjnë me dije se 45-vjeçari është qëlluar me armë zjarri, duke humbur jetën si pasojë e plagëve të marra. Aktualisht, policia po verifikon të gjitha pistat e mundshme hetimore, ndërsa nuk përjashtohet asnjë variant lidhur me motivet e vrasjes.
Autoritetet pritet të dalin me informacione të tjera në vijim, ndërsa hetimet janë përqendruar në identifikimin dhe kapjen e autorit ose autorëve të kësaj ngjarjeje të rëndë që ka tronditur zonën e Mirditës.









