“Projekti i Kushnerit në Zvërnec nuk ndalet” – Rama për Reuters: Do të ecim përpara pavarësisht protestave

Kryeministri Edi Rama ka deklaruar se projekti turistik i planifikuar në Zvërnec do të vijojë sipas planit, pavarësisht protestave të vazhdueshme që po zhvillohen në Tiranë dhe në jug të vendit kundër këtij investimi.

Në një intervistë për agjencinë ndërkombëtare Reuters, Rama theksoi se resorti luksoz i parashikuar nga kompania e lidhur me Jared Kushner, dhëndrin e presidentit amerikan Donald Trump, është pjesë e vizionit të qeverisë për zhvillimin ekonomik të Shqipërisë dhe tërheqjen e investimeve të huaja strategjike.

Sipas Reuters, mijëra qytetarë kanë protestuar ditët e fundit kundër projektit, duke shprehur shqetësime për ndikimin që ai mund të ketë në ekosistemin e zonës së mbrojtur të Zvërnecit, ku jetojnë specie të ndryshme të mbrojtura si flamingot, fokat mesdhetare dhe breshkat e detit. Flamingot janë kthyer në simbolin kryesor të protestës, ndërsa demonstruesit kanë përdorur pankarta dhe figura rozë të zogut në tubimet e tyre.

Megjithatë, Rama u shpreh i vendosur se investimi do të realizohet dhe se rezultatet do të jenë të dukshme në vitet e ardhshme.

“Do të jetë një projekt i bukur dhe ne do ta realizojmë. Shqipëria do të jetë krenare për këtë investim dhe për ndikimin që do të ketë në zhvillimin e vendit”, deklaroi kreu i qeverisë gjatë intervistës.

Ai shtoi se qytetarët i kanë dhënë mandat për të çuar përpara projekte që, sipas tij, nxisin zhvillimin ekonomik dhe modernizimin e vendit.

“Jam zgjedhur për t’i bërë këto gjëra të ndodhin. Nuk jam zgjedhur për të ndjekur vizionin e atyre që kanë një ide tjetër për zhvillimin e Shqipërisë”, tha Rama.

Reuters vëren se protestat kundër projektit janë shndërruar në një lëvizje më të gjerë pakënaqësie ndaj qeverisë, ku pjesëmarrësit kërkojnë jo vetëm ndalimin e investimit në Zvërnec, por edhe ndryshime politike, duke ngritur shqetësime për korrupsionin, shërbimet publike dhe qeverisjen e vendit.

Në intervistë, Rama foli edhe për marrëdhënien me Jared Kushner dhe Ivanka Trump, të cilët sipas tij u interesuan për Shqipërinë pas vizitave private në bregdetin shqiptar. Kryeministri i cilësoi ata si njerëz modestë dhe me interes të sinqertë për potencialin turistik të vendit.

Sipas kreut të qeverisë, projekti në Zvërnec dhe ai në ishullin e Sazanit përfaqësojnë investime me vlerë shumë miliardë euro dhe mund të transformojnë turizmin shqiptar në dekadat e ardhshme.

“Është një ëndërr e madhe dhe ëndrrat e mëdha gjithmonë shoqërohen me polemika”, përfundoi Rama.