Detaje të reja kanë dalë nga dosja hetimore e privatizimit të ish-Kompleksit “Partizani”, ndërsa këtë të hënë ish-ministri i Ekonomisë, Genc Ruli, është paraqitur në ambientet e Struktura e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar për të dhënë dëshminë e tij lidhur me çështjen.
Sipas materialeve hetimore, në dosje është përfshirë edhe një bisedë mes Rulit dhe ish-kryeministrit Sali Berisha, e zhvilluar në periudhën 2008–2009, kur Ruli drejtonte Ministrinë e Ekonomisë.
Në komunikimin e administruar nga prokurorët, Ruli e informon Berishën për një ndryshim në mënyrën e pagesës së vlerës së pronës që do të privatizohej. Sipas diskutimit, ishte propozuar që pagesa të mos kryhej vetëm në para, por të ndahej në dy pjesë: 20 për qind në para dhe 80 për qind në bono privatizimi ose letra me vlerë.
“Doktor, ankandi është veçmas, por kemi futur 20% me para dhe 80% me letra me vlerë”, citohet të ketë thënë Ruli gjatë bisedës. Sipas dosjes, Berisha e ka mirëpritur këtë formulë, duke e konsideruar atë një risi pozitive.
Megjithatë, sipas qëndrimit të prokurorëve të SPAK-ut, kjo metodologji ngre pikëpyetje mbi përputhshmërinë me legjislacionin dhe vendimet qeveritare në fuqi në atë periudhë. Hetuesit referojnë një dispozitë të një vendimi të Këshillit të Ministrave, sipas së cilës praktikat që ndodheshin në administrimin e Drejtorisë së Administrimit dhe Shitjes së Pronave Publike në Ministrinë e Financave duhej të ndiqnin rregulla të përcaktuara më herët.
Ndërkohë, gjatë paraqitjes së tij në SPAK, Ruli ka deklaruar se në këtë proces ai ka mbrojtur interesat e pronarëve dhe se roli i tij ka qenë ai i një përfaqësuesi institucional në zbatim të procedurave të kohës.
Dosja e privatizimit të ish-Kompleksit “Partizani” mbetet një nga hetimet më të rëndësishme të drejtësisë shqiptare, ndërsa SPAK po vijon të analizojë dokumentacionin, vendimmarrjet dhe komunikimet që lidhen me procesin e privatizimit.
Biseda mes Genc Rulit dhe Sali Berishës, zbardhur në dosjen e SPAK dhe arsyetimi i P. Posaçme:
Genc Ruli: Jo ankandi është veç doktor, por futëm 20% me lekë dhe 80% me letra me vlerë.
Sali Berisha: Bravo, jepe këtë njoftim, se edhe kjo përbën risi.
Genc Ruli: Ma thuaj, si jua keni vlerësuar letrat me vlerë juve këtyre? Unë do të mbroj pronarët, do të bej avokatin e tyre. Dmth si t’ja bëjmë që t’i favorizojmë, t’i marrim ato, se ja ke mbajtur tjetrit, ti e ke shfrytëzuar.
Sali Berisha: Letrat me vlerë ua kemi borxh se nuk i kemi shpërndare, duhet të gjejmë mënyrat që t’i ndihmojmë, t’i heqim këto letrat me vlerë. Këtë e kemi bërë shumë mirë, jam shumë dakort me ty, se nuk i marrim dot, absolutisht. Jepe këtë lajm, është një lajm shumë i rëndësishëm, që u miratua, që 80 për qind ta paguajnë me letra me vlere vetëm pronarët. Ai borxh do të shlyhet qeveria ka borxh, ma gjej ti mua mënyrën sesi ta shlyejmë, unë me atë borxh nuk rri, unë do ta shlyej po qe se Shqiptaret më japin mandatin e dytë, unë ta them se do t’ua shlyej borxhin. Unë atyre letrave do t’ju qëndroj se kanë një sens ato të shpërndarjes së pasurisë, kanë një bazë shumë morale, shumë të fuqishme, tjetër punë se tani nuk po merret kush me këto në botë, por ne do të merremi, nuk kemi se çfarë të bëjmë.
Sipas pikës 12 të VKM-je, ky vendim nuk do të zbatohet për praktikat që ndodhen në Drejtorinë e Administrimit dhe Shitjes së Pronave Publike në Ministrinë e Financave, në zbatim të vendimeve të mëparshme, të cilat janë në proces dhe ndodhen në fazën kur ka përfunduar pagesa për vlerën e plotë të shitjes së tyre.
32. Megjithëse, Komisioni i Vlerësimit, në lidhje me Klubin e Futbollit Partizani, kishte konkluduar mendimin e tij në muajin tetor 2008, pavarësisht një pune të kryer nga strukturat shtetërore me urgjencë në fazët e mëparshme, duket se kjo punë stopon deri në hyrjen në fuqi të VKM-së së mësipërme. Pas hyrjes në fuqi të kësaj VKM-je, në muajin janar 2009: vijojnë procedurat e mëtejshme të privatizimit, duke i dhënë kështu bashkësisë së pronarëve t’u krijohej mundësia e pagesës me bono privatizimi.
Nga aktet rezulton se sipas formularit për pranimin e bonove të privatizimit datë 13.02.2009 të Raiffeisen Bank, pasqyrohet se për objektin në privatizim “Terrenet sportive dhe objekteve të klubit te futbollit Partizani Tirane”, vlera e bonove të privatizimit të marra në dorëzim nga Banka, është 8 200 000 lekë. Nënshkrues është shtetasi Xhimi Begeja.
Me shkresën Nr. 898 Prot. datë 28.01.2009, Drejtoria e Administrimit dhe Shitjes së Pronave Publike i kërkon Bankës Credins “Cbllokim fond!”, pasi në ankandin e zhvilluar në Ministrinë e Financave trashgimtarët e familjeve të shpronësuara Mahmut dhe Xhemal Begeja, Rexhep Alimehmeti, Sabrije Llagami, Dylbere Vaqarri dhe Qamil Saliaga u shpallën fitues me të drejtën e parablerjes së objektit dhe ngurtësimi i vlerës 20% në vlerë absolute 2 021 800 lekë, e ngurtësuar nga shoqëria “Kontakt shpk” sipas formularit të garancisë nr. 2810/04.09.2008 te kalojë për llogari të Ministrisë së Financave.









