I biri vrau policin Enea Mekolli – Nëna e Braçellarit thyen heshtjen: “Policia nuk u identifikua dhe nuk i kërkoi të dorëzohej”

Për herë të parë që nga ngjarja tragjike e 4 qershorit në fshatin Lozhan të Maliqit, ku mbeti i vrarë efektivi i Policisë së Shtetit Enea Mekolli dhe u plagos kolegu i tij Edison Adri, ka reaguar publikisht nëna e autorit të dyshuar, Violand Braçellarit.

Berdane Braçellari, e cila pretendon se ka qenë dëshmitare okulare e ngjarjes, ka rrëfyer versionin e saj mbi momentet që paraprinë përplasjen me armë në stallën e bagëtive ku ndodhej së bashku me të birin.

Sipas saj, efektivët e policisë kanë mbërritur në zonë pa u identifikuar dhe pa i bërë thirrje djalit të saj që të dorëzohej. Ajo pretendon se gjithçka ndodhi brenda pak çastesh dhe se nuk pati asnjë komunikim paraprak nga ana e forcave të rendit.

Deklaratat e saj vijnë disa ditë pas operacionit policor që përfundoi me vrasjen e efektivit 34-vjeçar Enea Mekolli, i shpallur më pas “Dëshmor i Atdheut”, dhe plagosjen e efektivit Edison Adri.

Sipas versionit zyrtar të autoriteteve, gjatë ndërhyrjes për arrestimin e Violand Braçellarit, person i shpallur në kërkim dhe i dënuar për trafik narkotikësh, ky i fundit hapi zjarr ndaj forcave të policisë, duke shkaktuar viktimën dhe të plagosurin. Pas shkëmbimit të zjarrit, Braçellari mbeti i plagosur dhe u arrestua nga policia.

Ngjarja ka tronditur opinionin publik dhe vijon të jetë në qendër të hetimeve, ndërsa dëshmia e nënës së të arrestuarit pritet të verifikohet nga organet hetimore në kuadër të zbardhjes së plotë të rrethanave të incidentit.

Intervista e plotë:

Berdane Braçellari: Kam qenë që në fillim, hyra në stallë si gjithmonë, në krahun matanë hyra vetë, në anën tjetër hyri djali. Djali asnjëherë nuk futej në punë, thjesht më ikën dy punëtorë dhe erdhi. Kisha një parandjenjë, se përherë kemi qenë duke u mbrojtur për shkak të policisë. Erdhi policia, i thashë: “Djalë, erdhën”. Djali qenka hedhur nga dritarja e viçave, aty ishte polici. Del lart djali, i bie policit.

Gazetari: Ju thoni se djali juaj nuk qëlloi i pari mbi policinë?

Berdane Braçellari: Polici i ra më parë, pastaj qëlloi djali im. Policia nuk tha as “dorëzohuni”, as që ishin policë. Violandi ishte fshehur në cep dhe kaloi lart.

Gazetari: Sa kohë kishte Violandi që rrinte me ju?

Berdane Braçellari: Violandi me mua jo se rrinte, ishte i dënuar 10 vite. Nuk më rrinte këtu mua, vinte thjesht ndonjëherë të hante bukë. Jetonte në mal, vetëm në mal. Asnjëherë nuk shkonte në fshat apo qytet. Kjo situatë ka 8 vite kështu. Për 10 gram hashash, dy gramë i gjetën në shtëpi, pastaj ia bënë 10 gramë.

Gazetari: A ka kultivuar djali juaj këtu ndonjëherë hashash?

Berdane Braçellari: Asnjëherë, në Vlorë punuam me ndërtim, merrnin lekë, bëmë 30 dhi race dhe i sollëm këtu në Lozhan.

Gazetari: A është e vërtetë që shteti u ka ndihmuar me fonde?

Berdane Braçellari: Kemi marrë. Jo se më ka ndihmuar, por i ka rregulla shteti këtu se unë e kam blegtorinë. Jo thotë Artan Hoxha farë hashashi etj. Ja shikoni shtëpinë. Çfarë nuk kemi dëgjuar.

Gazetari: Si ndiheni ju si nënë, një punonjës policie ndërroi jetë?

Berdane Braçellari: Më vjen shumë keq, edhe djali im të kishte vdekur. Nuk ka faj as djali im, as polici. Se dhe polici i urdhëruar është. Ai të bënte këtë gjë, të thoshte: “Ndal”. Nuk do ishte situata e këtillë.

Gazetari: A ka pasur raste kur ka ardhur më parë policia dhe Renea për të kapur Violandin?

Berdane Braçellari: Disa herë. Nuk bënë këtë që bënë këta. Jo se ka qenë shumë herë, një rast pata.

Gazetari: Çfarë mesazhi keni për familjen e policit të rënë?

Berdane Braçellari: Më vjen shumë keq, zëre sikur më vdiq djali im. Më vjen keq edhe për të, as nuk i njoh, as nënën, as babanë, as djalin. Më vjen shumë keq. Jam me ata. Më dhimbset ai djalë. Nuk e njoh e nuk më njeh. Detyra e tij.

Gazetari: Do ta takosh Violandin?

Berdane Braçellari: Do e takoj, se e kam djalë. Më dhimbset. Kam gjithë këto vite me të.

Gazetari: Si ka mundësi që mbante armë, a e dinit ju? I rrezikohej jeta vetëm nga policia apo edhe të tjerë?

Berdane Braçellari: Nuk e dija që kishte armë. Nuk e kisha parë asnjëherë me armë. Nuk ka djali t’i thotë nënës: “Mbaj armë”.

Gazetari: A ke tentuar ndonjëherë t’i mbushësh mendjen të dorëzohet?

Berdane Braçellari: Shumë herë. Vetëm i vinte inat, thoshte të dënohem 10 vite për dy gram hashash, nuk shkel në polici. Hashashi nuk u gjet në shtëpinë time apo në makinën time, por në banesë të braktisur.

Gazetari: Ka pasur fjalë se Violandi ka shpëtuar këto vite sepse bashkëpunonte me policinë.

Berdane Braçellari: Çfarë thua? Ata e kishin halë në sy. Halë në sy, çdo vend kontroll, nga të katra anët, kudo që dilte djali do bënin kontroll makinash e çfarë kishte me vete.

Gazetari: Një ditë para ngjarjes, a iku bariu juaj nga puna?

Berdane Braçellari: Ka ikur sepse e kemi bërë me llaf që do merrte 1 milion lekë rrogën po të rrinte mbi një vit. Ai ndenji 10 ditë dhe kërkonte 33 mijë lekë në ditë. Kaq lekë ke – i thashë. Ishte shumë mashtrues.

Gazetari: Ju besoni që Violandi nuk ka lidhje me lëndët narkotike?

Berdane Braçellari: Çfarë nuk thonë. Nuk bëhet fjalë ta lajmëronte ai policinë. Ai 10 ditë ndenji. Kur u bë lënda narkotike, kur u shit për 10 ditë?