Lojtarët e kombëtares së Iranit kanë siguruar vizat për të hyrë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, vetëm pak ditë para fillimit të ndeshjeve të tyre në Kupën e Botës, duke i dhënë fund një situate të tensionuar diplomatike mes dy vendeve.
Sipas një zyrtari të Shtëpisë së Bardhë, dokumentet e hyrjes u janë lëshuar futbollistëve iranianë në orët e fundit, duke zgjidhur një ngërç që kishte krijuar pasiguri serioze për pjesëmarrjen e tyre në turne. Ndërkohë, ambasadori i Iranit në Meksikë, Abolfazl Pasandideh, deklaroi se deri në mbrëmjen e së enjtes ekipi ende nuk i kishte marrë zyrtarisht vizat, por procesi u finalizua brenda natës.
Për shkak të komplikimeve me procedurat e hyrjes në SHBA, delegacioni iranian u detyrua të ndryshojë planin e akomodimit, duke zhvendosur bazën stërvitore nga shteti amerikan i Arizonës drejt Tijuana-s në Meksikë, në një marrëveshje të arritur në momentet e fundit.
Sipas planit aktual, kombëtarja e Iranit pritet të mbërrijë në Tijuana të dielën në mëngjes, nga ku do të udhëtojë drejt ndeshjeve të fazës së grupeve.
Irani është shortuar në Grupin G dhe do të luajë ndeshjen e parë më 15 qershor në Los Anxhelos kundër Zelandës së Re, ndërsa më pas do të përballet edhe me Belgjikën dhe Egjiptin, me ndeshjen e fundit që do të zhvillohet në Seattle.
Situata vjen në një kontekst të tensionuar gjeopolitik mes Teheranit dhe Uashingtonit, duke e bërë këtë edicion të Kupës së Botës jo vetëm një ngjarje sportive, por edhe një skenë ku ndërthuren interesat diplomatike dhe politike.
Analistët e kanë cilësuar këtë turne si një nga më të pazakontët në histori, pasi për herë të parë një vend pritës pritet të presë një komb me të cilin ka marrëdhënie të ashpra, të ndikuara nga konflikte dhe përplasje ndërkombëtare.









