RTSH paralajmëron krizë financiare/ Televizioni Publik kërkon më shumë para nga Kuvendi – Propozohet rritje e tarifës për qytetarët

Radio Televizioni Shqiptar po përballet me vështirësi serioze financiare dhe ka kërkuar mbështetje shtesë nga Kuvendi për të përballuar kostot e reformimit të institucionit, ndërsa drejtuesit e tij propozuan edhe rritjen e tarifës publike që paguhet nga qytetarët për funksionimin e transmetuesit publik.

Kreu i Këshillit Drejtues të RTSH-së, Fatjon Hoxhalli, dhe Drejtoresha e Përgjithshme, Eni Vasili, raportuan këtë të premte në Komisionin Parlamentar për të Drejtat e Njeriut dhe Mjetet e Informimit Publik mbi gjendjen financiare të institucionit, progresin e reformave, pavarësinë editoriale dhe procesin e dixhitalizimit të arkivës kombëtare të RTSH-së.

Gjatë raportimit, Hoxhalli deklaroi se televizioni publik vazhdon të jetë nën presion të fortë financiar, duke theksuar se të ardhurat e realizuara gjatë vitit 2025 arritën vetëm në 86.7 për qind të planit vjetor. Sipas tij, institucioni regjistroi një mungesë prej 366 milionë lekësh krahasuar me objektivat e parashikuara në buxhet.

Ai bëri të ditur se RTSH trashëgon gjithashtu detyrime të konsiderueshme financiare ndaj palëve të treta, të krijuara ndër vite nga vendimmarrje dhe menaxhim i dobët financiar. Në mesin e këtyre detyrimeve përfshihen dëmshpërblime për largimet nga puna dhe kontrata të kushtueshme të të drejtave sportive.

Sipas të dhënave të paraqitura në komision, borxhi total ndaj palëve të treta ka arritur në 374 milionë lekë. Një pjesë e konsiderueshme e kësaj shume lidhet me blerjen e të drejtave televizive sportive, të cilat ishin planifikuar të financoheshin përmes projeksioneve të ardhshme për rritjen e tarifës publike.

Nga ana e saj, Drejtoresha e Përgjithshme Eni Vasili theksoi se tarifa aktuale që paguhet për financimin e RTSH-së është ndër më të ulëtat në Evropë, duke qenë më pak se një euro në muaj. Megjithatë, sipas saj, kjo tarifë mbetet burimi kryesor që garanton ekzistencën dhe funksionimin e transmetuesit publik.

Ajo argumentoi se RTSH po përballet me sfida të mëdha financiare dhe se prioritet kryesor mbetet ulja e presionit mbi likuiditetet e institucionit. Vasili bëri të ditur se administrata ka nisur procesin e shlyerjes graduale të detyrimeve të prapambetura, ndërsa në disa raste janë rinegociuar afatet e pagesave për të shmangur penalitete të reja financiare.

Një tjetër çështje që u ngrit me forcë gjatë raportimit ishte nevoja për financimin e procesit të dixhitalizimit të arkivës së RTSH-së. Vasili e cilësoi këtë projekt si një detyrim kombëtar dhe një investim strategjik për ruajtjen e trashëgimisë audiovizive të vendit.

Sipas saj, për realizimin e reformës së plotë të institucionit dhe përfundimin e dixhitalizimit nevojitet mbështetje shtesë financiare nga shteti. Ajo iu referua edhe rekomandimeve të Unionit Evropian të Transmetuesve Publikë, të cilat sugjerojnë një ristrukturim të thellë të RTSH-së.

Sa i përket pavarësisë editoriale, Vasili deklaroi se institucioni ende ka rrugë për të bërë, por theksoi se aktualisht nuk përballet me presione politike në ushtrimin e veprimtarisë së tij mediatike.

Kryetarja e Komisionit Parlamentar, Jorida Tabaku, shprehu dakordësinë me një pjesë të shqetësimeve të ngritura nga drejtuesit e RTSH-së dhe kërkoi që institucioni të paraqesë një plan konkret për financimin e procesit të dixhitalizimit të arkivës. Sipas saj, Kuvendi mund të luajë një rol të rëndësishëm në sigurimin e fondeve të nevojshme për këtë projekt.

Tabaku nënvizoi gjithashtu rëndësinë e forcimit të pavarësisë editoriale të transmetuesit publik, duke kujtuar se kjo mbetet një nga kërkesat e përsëritura edhe në raportet e Bashkimit Evropian për Shqipërinë.

Ndërkohë, ajo bëri të ditur se në Kuvend po diskutohen ndryshime ligjore që synojnë forcimin e pavarësisë institucionale të RTSH-së, përfshirë edhe një formulë të re për përzgjedhjen e anëtarëve të Këshillit Drejtues.

Nga ana tjetër, nënkryetarja e komisionit, Iris Luarasi, vlerësoi se pavarësisht përpjekjeve të drejtuesve aktualë, asnjë prej rekomandimeve të Kuvendit për vitin 2025 nuk është realizuar plotësisht.

Ajo paraqiti një sërë rekomandimesh për vitin 2026, duke kërkuar hartimin e një plani strategjik me objektiva të qarta, afate konkrete dhe mekanizma raportimi periodik, në mënyrë që proceset reformuese të mos mbeten vetëm në nivel deklarativ.

Po ashtu, Luarasi kërkoi që RTSH të paraqesë sa më shpejt një plan të detajuar financiar për përfundimin e dixhitalizimit të arkivës, në mënyrë që Kuvendi të mund të ndërhyjë pranë qeverisë për sigurimin e fondeve të nevojshme.

Situata financiare e transmetuesit publik mbetet një nga sfidat më të mëdha institucionale, ndërsa kërkesat për rritje të tarifës publike dhe mbështetje shtesë nga buxheti i shtetit pritet të hapin debat të gjerë në muajt e ardhshëm.