Alarm në ISS – Astronautët strehohen në kapsulën SpaceX pas rrjedhjeve të reja të ajrit

Një situatë emergjente është regjistruar në bordin e NASA, pasi astronautët në International Space Station janë urdhëruar të strehohen përkohësisht në kapsulën e kompanisë SpaceX, për shkak të rrjedhjeve të reja të ajrit në segmentin rus të stacionit hapësinor.

Sipas njoftimit të NASA-s, masa është marrë si procedurë sigurie ndërsa po kryhen ndërhyrje urgjente për riparimin e defektit. Katër anëtarët e misionit Crew-12, së bashku me astronautin Chris Williams, janë vendosur në kapsulën Crew Dragon “Freedom”, e cila shërben si mjet evakuimi në rast emergjencash.

Problemi lidhet me modulin rus Zvezda, konkretisht me tunelin e transferimit PrK, ku prej vitesh janë evidentuar çarje që shkaktojnë humbje të ajrit. Sipas zëdhënëses së NASA-s, Bethany Stevens, agjencia ruse Roscosmos ka ndërmarrë vazhdimisht masa për të kufizuar rrjedhjet, ndërsa specialistët amerikanë dhe rusë kanë monitoruar nga afër situatën për të përcaktuar shkakun e tyre.

Pas konstatimit të një rënieje të re të presionit në tunelin PrK, Roscosmos vendosi të nisë këtë të premte një operacion më të gjerë riparimi. Dy kozmonautë rusë po punojnë aktualisht në zonën problematike, ndërsa pjesa tjetër e ekuipazhit është vendosur në gatishmëri.

Çarjet në modulin Zvezda janë një problem i njohur prej rreth gjashtë vitesh dhe janë trajtuar disa herë me riparime të përkohshme. Megjithatë, zbulimi i rrjedhjeve të reja pas mbërritjes së një anijeje transporti ruse muajin e kaluar ka shtuar shqetësimet për integritetin afatgjatë të segmentit rus të stacionit.

NASA theksoi se po bashkëpunon ngushtë me Roscosmos dhe partnerët e tjerë ndërkombëtarë për të garantuar sigurinë e ekuipazhit dhe për të gjetur një zgjidhje të përhershme për problemin.