Një ngjarje e rëndë ka tronditur sot Bashkinë e Përmetit, ku është arrestuar shefi juridik i institucionit, Enea Kushe, i konsideruar edhe si një nga bashkëpunëtorët më të afërt të kryebashkiakes Alma Hoxha.
Sipas informacioneve paraprake, arrestimi është kryer nga forcat e Policisë së Përmetit, pas dyshimeve se zyrtari ka marrë një shumë prej 1500 eurosh nga një qytetar, në këmbim të një certifikate pronësie.
Rasti është bërë publik fillimisht nga emisioni investigativ “Stop” në televizionin Klan, i cili ka transmetuar me audio dhe video momentet e dyshuara të marrjes së parave.
Pas publikimit të materialit dhe ndërhyrjes së policisë, është ushtruar kontroll në banesën e tij, ndërsa më pas është bërë edhe ndalimi i tij.
Ngjarja ka hapur diskutime të forta në opinion publik, ndërsa mbetet për t’u parë nëse do të ketë masa administrative ndaj tij nga Bashkia e Përmetit, përfshirë edhe qëndrimin e kryebashkiakes ndaj vartësit të saj.









