Shtëpia e Bardhë ka bërë publike nominimet për postet e ambasadorëve të Shteteve të Bashkuara në Bosnje e Hercegovinë, Serbi dhe Mal të Zi, përmes një dekreti të datës 1 qershor. Emërimet duhet të kalojnë më pas për miratim në Senatin amerikan, përpara se të hyjnë në fuqi zyrtarisht.
Për Bosnje e Hercegovinën është nominuar Ronald Johnson, një ish-gjeneral brigade i Korpusit të Marinsave të SHBA-së nga shteti Masaçusets. Për Serbinë është propozuar Michael Young nga shteti Juta, ndërsa për Malin e Zi është zgjedhur Peter McCoy nga Karolina e Jugut, me përvojë të mëparshme si prokuror shtetëror.
Sipas procedurës kushtetuese amerikane, çdo emërim kalon fillimisht në Komitetin e Senatit për Marrëdhënie me Jashtë, i cili zhvillon seanca dëgjimore dhe më pas jep rekomandimin për votim në Senat. Vetëm pas miratimit me shumicë, kandidatët konfirmohen dhe marrin zyrtarisht detyrën si ambasadorë në vendet përkatëse.
Më herët, SHBA-ja ka nominuar edhe ambasadorin e saj për Shqipërinë.
Ndërkaq sa i përket Kosovës, Uashingtoni ende nuk ka ndonjë njoftim, teksa Ambasada amerikane në Prishtinë aktualisht udhëhiqet nga e ngarkuara me punë, Anu Prattipati, pasi ambasadori paraprak, Jeff Hovenier, përfundoi mandatin e tij trevjeçar në fund të dhjetorit të vitit 2024.









