Arratisje si në filma nga burgu i Koridhalosit – Zhduket shqiptari i dënuar për drogë

Një ngjarje e pazakontë ka tronditur autoritetet greke, pasi një 48-vjeçar shqiptar është arratisur nga burgu i sigurisë së lartë të Koridhalosit, një prej institucioneve më të njohura të vuajtjes së dënimit në Greqi.

Sipas informacioneve paraprake, i burgosuri, i dënuar për vepra penale që lidhen me trafikun e lëndëve narkotike, ka mundur të largohet nga ambientet e burgut gjatë orarit të ushqimit në mensë. Rrethanat e arratisjes mbeten ende të paqarta dhe po hetohen nga autoritetet greke.

Mediat greke raportojnë se 48-vjeçari dyshohet të ketë përfituar nga një problem në procedurat e sigurisë, pasi dy zona të kontrolluara mund të jenë hapur njëkohësisht. Hetuesit besojnë se ai kishte studiuar prej kohësh lëvizjet e personelit, si dhe funksionimin automatik të dyerve të sigurisë, duke shfrytëzuar momentin e përshtatshëm për t’u larguar.

Menjëherë pas zbulimit të arratisjes, policia greke ka nisur një operacion të gjerë kërkimi për kapjen e tij, ndërsa paralelisht po zhvillohen hetime për të zbardhur mënyrën se si u realizua largimi nga një burg që konsiderohet ndër më të sigurtit në vend.

Autoritetet nuk përjashtojnë as mundësinë që i arratisuri të ketë pasur ndihmë nga brenda institucionit. Për këtë arsye, po verifikohen procedurat e sigurisë dhe roli i personelit të burgut, ndërsa çdo përgjegjësi e mundshme pritet të hetohet në detaje.