Kombëtarja shqiptare ka marrë një lajm të keq që në ditën e parë zyrtare të grumbullimit nën drejtimin e trajnerit të ri, Rolando Maran. Mbrojtësi Ardian Ismajli është detyruar të largohet nga grumbullimi për shkak të problemeve fizike, duke mos qenë në gjendje optimale për t’u vënë në dispozicion të skuadrës.
Futbollistët kuqezi ndodheshin prej disa ditësh në Tiranë, ku një pjesë e tyre kishin zhvilluar edhe seanca individuale stërvitore në ambientet e Shtëpisë së Futbollit, në pritje të nisjes së programit zyrtar me stafin e ri teknik. Megjithatë, kontrollet mjekësore dhe vlerësimet e stafit kanë konfirmuar se Ismajli nuk është rikuperuar plotësisht nga shqetësimet fizike që e kanë ndjekur gjatë muajve të fundit.
Kjo është një situatë që përsëritet për mbrojtësin shqiptar, i cili gjatë vitit të fundit ka munguar në disa grumbullime të Kombëtares për shkak dëmtimesh të ndryshme. Largimi i tij përbën një mungesë të rëndësishme për repartin defensiv, duke i krijuar një problem të hershëm trajnerit Maran në prag të angazhimeve të ardhshme të ekipit kombëtar.
Stafi teknik dhe mjekësor do të vijojë të monitorojë gjendjen e lojtarit, ndërsa pritet të vendoset nëse do të thirret një futbollist tjetër për të plotësuar vendin e lënë bosh nga Ismajli.
NJOFTIMI I FSHF
Kombëtarja shqiptare ka nisur sot grumbullimin në kuadër të dy ndeshjeve miqësore ndaj Izraelit dhe Luksemburgut.
Departamenti i Komunikimit në FSHF bën me dije se mbrojtësi Ardian Ismajli është larguar nga grumbullimi pas vlerësimit të gjendjes së tij fizike nga stafi mjekësor i Kombëtares.
Ismajli iu bashkua fillimisht ekipit kombëtar, por duke qenë se vinte pas një problemi muskulor që e kishte mbajtur larg fushave për disa javë dhe ishte rikthyer në lojë vetëm në ndeshjen e fundit të sezonit, ai u paraqit në kushte fizike jo optimale dhe nuk ishte plotësisht i gatshëm për dy ndeshjet miqësore të planifikuara.
Pas konsultimeve ndërmjet stafit teknik dhe lojtarit, si edhe një takimi me trajnerin Rolando Maran, u vendos që Ismajli të rikthehej pranë klubit të tij për të vijuar programin e rikuperimit dhe për t’u kthyer sa më shpejt në formën e tij më të mirë.









