Zi në familjen Meta/ Ndërron jetë Rexhep Meta – SPAK i hap rrugë Ilir Metës për të marrë pjesë në varrim


Rexhep Meta, babai i ish-Presidentit të Republikës së Shqipërisë, Ilir Meta, është ndarë nga jeta në moshën 83-vjeçare, duke sjellë një humbje të madhe për familjen Meta.

Ceremonia mortore pritet të zhvillohet të martën në fshatin e tij të lindjes, Çepan në Skrapar, ndërsa homazhet për nder të të ndjerit do të organizohen edhe në Tiranë, ku familjarë, miq dhe të njohur pritet t’i japin lamtumirën e fundit.

Ndërkohë, Ilir Meta ka paraqitur një kërkesë zyrtare për të marrë pjesë në ceremoninë e varrimit të babait të tij, kërkesë e cila është miratuar nga Prokuroria e Posaçme (SPAK). Në vijim, Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve po merr masat e nevojshme për shoqërimin e tij drejt ceremonisë mortore.

Lajmi është konfirmuar edhe nga ish-bashkëshortja e tij, Monika Kryemadhi, e cila gjatë një paraqitjeje në SPAK është shprehur shkurtimisht: “Ka vdekur babai i Ilirit”.