Rebelim në PD/ Hysen Kadiu sfidon Berishën: “Nuk më përjashton dot nga partia”

Tensionet brenda Partisë Demokratike vijojnë të thellohen pas deklaratave të kryetarit të saj, Sali Berisha, i cili paralajmëroi se çdo demokrat që i bashkohet lëvizjes së nisur nga Ervin Salianji do të konsiderohet i përjashtuar nga partia.

Menjëherë pas kësaj deklarate ka reaguar ashpër ish-kryetari i degës së Partisë Demokratike në Kavajë, Hysen Kadiu, i cili ka kundërshtuar publikisht qëndrimin e Berishës.

Përmes një reagimi në rrjetet sociale, Kadiu u shpreh se anëtarësimi i tij në Partinë Demokratike nuk lidhet me Ervin Salianjin dhe se askush nuk mund ta përjashtojë nga forca politike ku ka kontribuar prej vitesh.

“Nuk më ka futur Salianji në PD, o doktor… dhe nuk më përjashton dot as ti!”, shkroi ai në postimin e tij.

Deklarata e Kadiut vjen në një moment kur debati për drejtimin dhe të ardhmen e Partisë Demokratike është intensifikuar, pas lëvizjes së re politike të iniciuar nga Salianji dhe mbështetjes që ajo po merr nga figura të ndryshme brenda partisë.

Përplasja publike mes drejtuesve dhe ish-drejtuesve demokratë po nxjerr në pah ndarjet e brendshme në opozitë, ndërsa pritet të shihet nëse kjo situatë do të prodhojë zhvillime të tjera politike në ditët në vijim.