Ka përfunduar pas rreth dy orësh takimi në Kryeministri mes Edi Ramës dhe ministrit grek të Mbrojtjes, Nikos Dendias, një vizitë që rikthen në vëmendje dialogun mes dy vendeve për çështjet e mbetura pezull prej vitesh.
Takimi u zhvillua me dyer të mbyllura, ndërsa në fokus të diskutimeve ishte rifillimi i negociatave për zonat detare dhe shelfin kontinental mes Shqipërisë dhe Greqisë, një proces i ndalur prej kohësh për shkak të mosmarrëveshjeve mes palëve.
Pas përfundimit të bisedimeve, Rama publikoi pamje nga takimi dhe e cilësoi Dendiasin “mik të çmuar” dhe “mbështetës të palëkundur të partneritetit strategjik” mes dy vendeve.
“Me ministrin grek të Mbrojtjes, Nikos Dendias, një mik i çmuar dhe një mbështetës i palëkundur i partneritetit strategjik mes Shqipërisë dhe Greqisë”, shkroi Rama në rrjetet sociale.
Në takim ishte i pranishëm edhe Ermal Nufi.
Vizita e Dendias në Tiranë pritet të vijojë me takime të tjera zyrtare dhe institucionale. Në axhendën e tij është parashikuar edhe një takim me Joani, Kreun e Kishës Ortodokse Autoqefale të Shqipërisë.









