Një tjetër goditje është ndërmarrë ndaj abuzimeve me ndërtimet në jug të vendit. Policia e Shtetit ka arrestuar drejtorin e Inspektoratit të Mbrojtjes së Territorit në Himarë, Dorian Hoxha, i cili dyshohet për shpërdorim detyre në lidhje me lejimin dhe mosndalimin e ndërtimeve pa leje në zonën bregdetare të Palasës.
Operacioni policor u zhvillua paraditen e kësaj të mërkure në zonën e Himarës, ndërsa ndalimi i zyrtarit vjen pas hetimeve paraprake mbi aktivitetin e ndërtimeve abuzive në vijën bregdetare.
Burime paraprake bëjnë me dije se ndaj Hoxhës rëndojnë dyshime se nuk ka vepruar sipas detyrës për të parandaluar ose ndëshkuar ndërtimet e paligjshme në një nga zonat më të lakmuara turistike të jugut të Shqipërisë.
Deri më tani, autoritetet nuk kanë dhënë detaje të plota mbi dosjen hetimore apo numrin e objekteve që dyshohet se janë përfshirë në këtë skemë, ndërsa hetimet vijojnë për të zbuluar nëse në këtë çështje janë të përfshirë edhe persona të tjerë.
Zona e Palasës dhe gjithë bregdeti i Himarës kanë qenë shpesh në fokus të debateve për ndërtime pa leje dhe abuzime urbanistike, për shkak të zhvillimit të vrullshëm turistik dhe interesit të lartë për investime në vijën bregdetare.









