Pacolli heq dorë nga Aeroporti i Vlorës: “Kam investuar 310 milionë euro, por nuk luftoj dot me shtetin”

Biznesmeni shqiptar nga Kosova Behgjet Pacolli ka deklaruar publikisht se po tërhiqet nga projekti i Aeroporti i Vlorës, duke thënë se nuk mund të përballet me fuqinë e shtetit, pavarësisht investimit prej mbi 310 milionë eurosh.

Në një reagim të gjatë publik, Pacolli u shpreh se aeroporti është ndërtuar tërësisht me fondet e kompanisë së tij MABCO dhe se janë angazhuar edhe garanci financiare shumë të mëdha për realizimin e projektit.

“Aeroportin le ta marrin! Nuk dua të luftoj me shtetin”, deklaroi ai, ndërsa akuzoi institucionet për përdorim të padrejtë dhe të paligjshëm të pushtetit.

Reagimi i Pacollit vjen pas tensioneve të ditëve të fundit në kantierin e aeroportit, ku sipas tij, punonjësve të kompanisë nuk iu lejua hyrja nga Policia e Shtetit, në mes të konfliktit me aksionerët e tjerë të projektit.

Biznesmeni garantoi se të gjitha detyrimet financiare ndaj punëtorëve dhe nënkontraktorëve do të shlyhen, por theksoi se dëmi më i madh është ai moral dhe cenimi i besimit të investitorëve te shteti shqiptar.

Ja postimi i Pacollit:👉 https://www.facebook.com/share/p/1Aqghc6MKL/?mibextid=wwXIfr