“Salianji u vetëpërjashtua” – Berisha reagon për letrën e ish-deputetit drejtuar PPE: Është e pa vlerë, e shkruar nga zyra e Edi Ramës

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka reaguar sot lidhur me letrën që ish-deputeti Ervin Salianji i ka dërguar Partisë Popullore Evropiane (PPE), ku ngre shqetësime për zhvillimet brenda selisë blu dhe procesin e garës për kryetarin e partisë.

Gjatë një konference për shtyp, Berisha deklaroi se Salianji “zgjodhi vetëpërjashtimin” nga Partia Demokratike dhe se, sipas tij, çdo ankesë e tij duhet të ishte adresuar brenda strukturave të partisë ose përmes rrugëve gjyqësore të brendshme.

Ai shkoi më tej duke e akuzuar Salianjin se letra e dërguar drejt PPE-së dhe drejtuesve të qendrës së djathtë europiane mund të jetë “e shkruar nga zyra e Edi Ramës”, duke nënkuptuar ndikim politik nga mazhoranca.

Berisha theksoi gjithashtu se dokumente të tilla “nuk kanë asnjë vlerë” për të dhe se secili është i lirë të shkruajë letra, por kjo nuk ndryshon qëndrimin e tij politik.

Në letrën e tij drejtuar drejtuesve të Partive Popullore Evropiane, Salianji ka ngritur shqetësime për mungesë gare të barabartë në PD, shkelje të statutit, përjashtime arbitrare dhe mungesë transparence në procesin e brendshëm zgjedhor.