Lufta me Iranin alarmon Aleancën/ NATO mbledh urgjentisht shefat ushtarakë: “Rezervat po shterojnë”

Një alarm i fortë është ndezur në selinë e NATO-s në Bruksel, teksa lufta me Iranin po konsumon me ritme të shpejta rezervat ushtarake të aleancës perëndimore. Për këtë arsye, shefat më të lartë ushtarakë të NATO-s do të zhvillojnë një takim emergjent, ku në fokus do të jetë rritja urgjente e prodhimit të armëve dhe municioneve.

Sipas të dhënave të publikuara nga Pentagoni më 12 maj, konflikti me Iranin i ka kushtuar deri tani ushtrisë amerikane mbi 29 miliardë dollarë. SHBA-ja po përdor në sasi të mëdha raketa, municione të avancuara dhe sisteme të mbrojtjes ajrore Patriot, duke shtuar frikën se rezervat strategjike po bien në nivele shqetësuese.

Aleatët europianë të NATO-s druhen se industria ushtarake nuk është në gjendje të zëvendësojë me shpejtësi pajisjet e sofistikuara që po konsumohen në konflikt, duke rrezikuar kapacitetin mbrojtës të aleancës në një moment kur Rusia vijon të konsiderohet kërcënimi kryesor për sigurinë e Europës.

Takimi i rëndësishëm do të drejtohet nga Komandanti Suprem i Forcave Aleate për Europën, Alexus G. Grynkewich, ndërsa në tryezë do të jetë edhe Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte.

Burime të larta ushtarake kanë deklaruar për mediat europiane se lufta me Iranin ka nxjerrë në pah dobësitë serioze të kapaciteteve prodhuese të Perëndimit.

“Na duhen shumë më tepër municione, sisteme mbrojtëse dhe aftësi për të rritur prodhimin me ritme të shpejta. Aktualisht nuk e kemi këtë kapacitet”, tha një zyrtar i NATO-s.

Një tjetër shqetësim madhor lidhet me Ukrainën. Vendet europiane të NATO-s kanë frikë se furnizimet ushtarake amerikane për Kievin mund të vonohen ose të reduktohen, pasi prioritet po bëhet menaxhimi i konfliktit me Iranin dhe ruajtja e rezervave strategjike të SHBA-së.

Takimi zhvillohet edhe në sfondin e tensioneve në rritje në Europën Veriore. Vetëm pak ditë më parë, Finlanda aktivizoi alarmin për sulm ajror pas hyrjes së dronëve në hapësirën e saj ajrore, ndërsa aeroporti i Helsinkit u mbyll përkohësisht.

Në të njëjtën kohë, ka shkaktuar debat edhe vendimi i SHBA-së për të anuluar dislokimin e një brigade me mbi 4 mijë trupa në Poloni, një lëvizje që sipas burimeve ushtarake është parë me shqetësim nga aleatët europianë.

Ndërkohë, presidenti amerikan Donald Trump vijon të alternojë paralajmërimet ushtarake me sinjalet diplomatike ndaj Teheranit. Në një reagim të fundit në rrjetin “Truth Social”, Trump deklaroi se “koha është thelbësore”, por la të kuptohet se ende ekziston mundësia e një marrëveshjeje, me kushtin që Irani të heqë dorë përfundimisht nga ambiciet për armë bërthamore.