Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, ka vendosur të tërheqë padinë gjigante prej 10 miliardë dollarësh kundër Shërbimit Amerikan të Tatimeve (IRS), duke mbyllur një nga çështjet më të debatueshme ligjore të muajve të fundit në SHBA.
Vendimi u formalizua përmes një dokumenti të depozituar në një gjykatë federale në Majami, ku avokatët e Trump njoftuan tërheqjen vullnetare të padisë që ishte ngritur në janar të këtij viti. Çështja lidhej me publikimin e deklaratave tatimore të Trump dhe familjes së tij nga ish-kontraktori i IRS-së, Charles Littlejohn.
Padia akuzonte IRS-në për neglizhencë dhe dështim në mbrojtjen e të dhënave konfidenciale të presidentit dhe mijëra qytetarëve të pasur amerikanë. Trump pretendonte se rrjedhja e informacionit kishte shkaktuar dëme të mëdha financiare dhe politike për të dhe bizneset e familjes së tij.
Tërheqja e papritur e padisë vjen pas negociatave mes ekipit ligjor të Trump dhe Departamentit amerikan të Drejtësisë. Megjithatë, kushtet e marrëveshjes nuk janë bërë publike, duke ngritur dyshime dhe reagime të forta në qarqet politike dhe juridike amerikane.
Çështja kishte hyrë në një fazë delikate pasi gjyqtarja federale Kathleen Williams kishte shprehur dyshime serioze mbi vlefshmërinë kushtetuese të procesit, duke argumentuar se Trump ndodhej njëkohësisht në pozicionin e paditësit dhe të drejtuesit të qeverisë që po paditej. Sipas saj, kjo krijonte një konflikt të fortë interesi dhe vinte në pikëpyetje ekzistencën reale të një “përplasjeje juridike” mes palëve.
Madje, gjykata kishte nisur procedura shtesë për të shqyrtuar nëse çështja mund të vazhdonte ligjërisht, ndërsa ishte planifikuar edhe një seancë dëgjimore për javën e ardhshme. Por me tërheqjen e padisë, procesi praktikisht është mbyllur.
Ndërkohë, reagimet në SHBA kanë qenë të ashpra. Ligjvënës demokratë akuzojnë Trump se po përdor pushtetin presidencial për të ndikuar mbi institucionet federale dhe për të negociuar në prapaskenë me qeverinë që ai vetë drejton.
Anëtari i lartë i Komisionit Juridik në Dhomën e Përfaqësuesve, Jamie Raskin, deklaroi se “asnjë president nuk mund të krijojë një padi miliarda dollarëshe kundër vetes dhe më pas ta mbyllë atë përmes marrëveshjeve të fshehta”.
Në qendër të skandalit mbetet Charles Littlejohn, ish-kontraktori i IRS-së, i cili pranoi fajësinë në vitin 2023 për publikimin e deklaratave tatimore të Trump dhe mijëra personave të tjerë të pasur. Ai u dënua me pesë vite burg, ndërsa aktualisht po apelon vendimin e gjykatës.
Raportimet në mediat amerikane sugjerojnë se Departamenti i Drejtësisë po shqyrton gjithashtu zgjidhje financiare për një sërë çështjesh të tjera të lidhura me aleatët e Trump dhe të arrestuarit e ngjarjeve të 6 janarit 2021 në Kapitol, çka ka shtuar edhe më shumë tensionet politike në Uashington.









