Një situatë tensioni është regjistruar këtë të diel në kufirin me Maqedoninë e Veriut, ku dhjetëra të rinj nga Shqipëria dhe Kosova, të nisur drejt Shkupit për të mbështetur protestën e studentëve shqiptarë, janë bllokuar nga autoritetet maqedonase.
Protesta e studentëve shqiptarë pritet të zhvillohet në orën 16:30 në Shkup, ndërsa pjesëmarrës nga trevat shqiptare kishin organizuar udhëtimin për t’iu bashkuar tubimit.
Sipas informacioneve paraprake, pala maqedonase ka njoftuar institucionet e Kosovës se bllokimi lidhet me probleme teknike dhe një rënie të sistemit të regjistrimit në pikën kufitare. Megjithatë, kjo situatë ka shkaktuar reagime të forta mes organizatorëve të protestës.
Kryetari i protestës studentore, Mevlan Ademi, ka kërkuar publikisht lejimin e menjëhershëm të hyrjes së shqiptarëve të ndaluar në kufi, duke e cilësuar situatën të papranueshme.
“Lëshoni menjëherë vëllezërit tanë shqiptarë të ndaluar në pikën kufitare. Kërkojmë veprim të menjëhershëm dhe lejim të hyrjes së tyre pa vonesë”, deklaroi Ademi.
Ai paralajmëroi gjithashtu se nëse situata nuk zgjidhet shpejt, studentët do të ndërmarrin hapa të tjerë protestues, përfshirë një marshim drejt Ministrisë së Punëve të Brendshme të Maqedonisë së Veriut.
“Nëse nuk ka ndërhyrje të shpejtë dhe zgjidhje urgjente, do të jemi të detyruar të marshojmë drejt Ministrisë së Brendshme”, u shpreh ai.
Ngjarja ka rritur tensionet pak orë para protestës së paralajmëruar në Shkup, ndërsa studentët shqiptarë kërkojnë reagim institucional dhe sqarim të menjëhershëm nga autoritetet maqedonase.









