X heq “Bookmarks” – Prezanton funksionin e ri “History” për ruajtjen e përmbajtjeve

Rrjeti social X ka prezantuar funksionin e ri “History”, i cili zëvendëson opsionin e deritanishëm “Bookmarks” dhe u mundëson përdoruesve të rikthehen më lehtë te përmbajtjet që kanë parë apo ruajtur më parë.

Funksioni i ri grumbullon në një vend të vetëm postimet e ruajtura, pëlqimet, videot dhe artikujt e lexuar, duke krijuar një histori të personalizuar të aktivitetit të përdoruesit në platformë.

Aktualisht, opsioni “History” është i disponueshëm vetëm për pajisjet Apple me sistemin iOS. Sipas drejtuesit të produktit në X, Nikita Bier, funksioni synon ta bëjë më të thjeshtë rikthimin te përmbajtjet që përdoruesit dëshirojnë të rishohin në një moment të mëvonshëm.

Në menynë anësore të aplikacionit, butoni “Bookmarks” tashmë është riemërtuar në “History”. Faqja e re përfshin katër seksione kryesore: Bookmarks, Likes, Videos dhe Articles.

Me këtë ndryshim, platforma X synon të funksionojë gjithnjë e më shumë si një motor kërkimi për përmbajtjet personale të përdoruesve, duke u dhënë mundësi të gjejnë postime dhe materiale të shikuara më parë edhe nëse nuk i kanë ruajtur manualisht.

Kompania po përpiqet gjithashtu të nxisë leximin e artikujve më të gjatë dhe publikimin e përmbajtjeve direkt në platformë, si pjesë e strategjisë së saj për të zgjeruar përdorimin e X përtej postimeve tradicionale të shkurtra.