Presidenti amerikan Donald Trump ka deklaruar se Abu-Bilal al Minuki, i cilësuar prej tij si “numri dy i ISIS-it në nivel global”, është eliminuar gjatë një operacioni të përbashkët mes forcave amerikane dhe atyre nigeriane në Afrikë.
Sipas Trump, Al Minuki, 44 vjeç, konsiderohej “terroristi më aktiv në botë”, ndërsa eliminimi i tij përbën një goditje të rëndë për organizatën terroriste ISIS.
“Me eliminimin e tij, operacionet globale të ISIS-it janë dobësuar ndjeshëm”, shkroi Trump në rrjetin social Truth Social.

Sipas organizatës “The Counter Extremism Project”, Abu-Bilal al Minuki ishte një figurë kyçe në degën e Liqenit Çad të strukturës globale të ISIS-it dhe shërbente si komandant rajonal që prej vitit 2018.
Raportohet se ai konsiderohej një militant i linjës së ashpër dhe kishte rol të rëndësishëm në koordinimin e aktiviteteve terroriste në rajon.
Operacioni u zhvillua në bashkëpunim me autoritetet e Nigeria, ndërsa SHBA kishte ndërmarrë edhe më herët sulme ndaj bazave islamiste në veriperëndim të vendit afrikan.
Sulmet amerikane erdhën pasi Trump kishte akuzuar më parë se komunitetet e krishtera po përndiqeshin në Nigeri, akuza që janë hedhur poshtë nga qeveria nigeriane.










