Federata Shqiptare e Futbollit ka propozuar zyrtarisht Aleksander Ceferin për një mandat të ri në krye të UEFA-s.
Vendimi u miratua unanimisht nga Komiteti Ekzekutiv i FSHF-së gjatë mbledhjes së zhvilluar këtë të premte, pas propozimit të bërë nga presidenti i federatës, Armand Duka.
Sipas njoftimit zyrtar, FSHF vlerëson lidershipin dhe kontributin e Ceferin në zhvillimin e futbollit europian, duke theksuar se vazhdimësia e tij në drejtimin e UEFA-s do të garantonte stabilitet dhe mbështetje për federatat anëtare.
Në mbledhje u vlerësua gjithashtu bashkëpunimi i UEFA-s me federatat kombëtare dhe mbështetja për projektet zhvillimore të futbollit shqiptar.
Zgjedhjet për presidentin dhe Komitetin Ekzekutiv të UEFA-s do të zhvillohen në Kongresin e 51-të të organizatës, më 22 prill 2027 në Astana.









