Alarm në Afrikë/ Rikthehet Ebola në Kongo -Mbi 240 raste dhe dhjetëra viktima

Një tjetër shpërthim i virusit vdekjeprurës Ebola është konfirmuar në Republikën Demokratike të Kongos, ku autoritetet shëndetësore kanë raportuar qindra raste të dyshuara dhe dhjetëra viktima në provincën lindore Ituri.

Sipas Qendrave Afrikane për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve (Africa CDC), deri tani janë regjistruar rreth 246 raste dhe 65 viktima, kryesisht në zonat minerare të arit Mongwalu dhe Rwampara.

Ky konsiderohet shpërthimi i 17-të i Ebolës në Republikën Demokratike të Kongos që nga identifikimi i parë i virusit në vitin 1976.

Ekspertët besojnë se virusi fillimisht u transmetua nga lakuriqët e natës, ndërsa më pas përhapet nga personi te personi përmes kontaktit të drejtpërdrejtë me lëngjet trupore ose përmes lëkurës së dëmtuar.

Ebola është një sëmundje shumë e rrezikshme virale që mund të shkaktojë gjakderdhje të rëndë, dëmtim të organeve dhe vdekje.

Simptomat e para përfshijnë temperaturë të lartë, lodhje, dhimbje muskujsh, dhimbje koke dhe fyti, ndërsa më pas shfaqen të vjella, diarre, skuqje të lëkurës dhe hemorragji të brendshme apo të jashtme.

Sipas Organizata Botërore e Shëndetësisë, shkalla mesatare e vdekshmërisë nga Ebola arrin rreth 50%, ndërsa aktualisht nuk ekziston një kurë e provuar plotësisht kundër virusit.