Siguria kibernetike është një nga shtyllat kryesore të zhvillimit ekonomik dhe të sigurisë kombëtare, ka deklaruar Zëvendës Shefja e Misionit në Detyrë në Ambasadën e Shteteve të Bashkuara në Tiranë, Kathryn Hammond, gjatë një aktiviteti të dedikuar prezantimit të zgjidhjeve amerikane në fushën e mbrojtjes digjitale.
Në fjalën e saj, Hammond theksoi se mbrojtja e infrastrukturës kibernetike lidhet drejtpërdrejt me sovranitetin e shteteve dhe aftësinë e tyre për të garantuar funksionimin e sigurt të sistemeve jetike.
Ajo u shpreh se siç është theksuar edhe nga Presidenti amerikan Donald Trump, mbrojtja e infrastrukturës digjitale nga kërcënimet e huaja nuk është vetëm një politikë e mirë, por një domosdoshmëri për sigurinë kombëtare.
Hammond vlerësoi gjithashtu progresin e Shqipërisë në transformimin digjital, përfshirë shërbimet elektronike qeveritare, modernizimin financiar dhe zhvillimin e infrastrukturës energjetike, por theksoi se ky zhvillim duhet të shoqërohet me përgjegjësi dhe mbrojtje të avancuar.
Deklaratat u bënë gjatë një aktiviteti ku u prezantuan teknologji dhe zgjidhje amerikane për forcimin e sigurisë kibernetike në Shqipëri, në një kohë kur vendi po zgjeron gjithnjë e më shumë shërbimet digjitale në sektorë kyç të ekonomisë dhe administratës publike.









