Qeveria kineze ka vlerësuar si “moment historik” takimin mes presidentit të Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, dhe presidentit të Kinës, Xi Jinping, të zhvilluar në Pekin, duke theksuar se ky samit ka sjellë “stabilitet dhe siguri të shumëpritur” në skenën ndërkombëtare.
Në një deklaratë zyrtare të publikuar nga Ministria e Jashtme kineze, theksohet se të dy liderët kanë arritur një sërë mirëkuptimesh të reja mbi drejtimin e marrëdhënieve dypalëshe dhe të bashkëpunimit strategjik mes dy fuqive më të mëdha ekonomike në botë.
Sipas Pekinit, takimi ka ndihmuar në rritjen e mirëkuptimit dhe besimit të ndërsjellë, si dhe në forcimin e bashkëpunimit praktik në fusha me interes të përbashkët.
Në deklaratë thuhet se palët kanë rënë dakord për një vizion të ri për ndërtimin e një partneriteti strategjik konstruktiv dhe të qëndrueshëm, i cili synon të udhëheqë marrëdhëniet SHBA–Kinë në vitet e ardhshme.
Ministria kineze theksoi gjithashtu se samiti vjen në një kohë tensionesh të larta gjeopolitike dhe pasigurie globale, duke shtuar se dialogu mes dy vendeve ka kontribuar në uljen e tensioneve ndërkombëtare.
Pekini dhe Uashingtoni, sipas deklaratës, kanë rënë dakord të forcojnë komunikimin dhe koordinimin për çështje rajonale dhe globale, si dhe të trajtojnë me kujdes dallimet ekzistuese mes tyre, me synimin për të shmangur përshkallëzimin e konflikteve.









