Ralf Schumacher apelon për dorëzim stafete: Hamilton dhe Alonso duhet t’u lënë vendin të rinjve

Ish-piloti i Formula 1, Ralf Schumacher, ka ndezur debat me deklaratat e tij të fundit për dy veteranët e kampionatit, Lewis Hamilton dhe Fernando Alonso. Sipas gjermanit, ka ardhur momenti që të dy pilotët të tërhiqen nga Formula 1 dhe t’u hapin rrugë talenteve të reja.

Në podkastin “Backstage Boxengasse” të Sky Germany, Schumacher u ndal fillimisht te forma e Hamiltonit këtë sezon, duke vlerësuar përmirësimin e britanikut, por duke theksuar se ai nuk mund të rivalizojë më në afatgjatë me shokun e skuadrës, Charles Leclerc.

“Duhet pranuar se, duke parë gjithë sezonin, Hamilton nuk ka asnjë shans ndaj Lëklerkut. Ky është realiteti”, u shpreh ai.

Më pas, Ralf Schumacher përfshiu në diskutim edhe Alonson, duke deklaruar se të dy kampionët kanë pasur karriera të jashtëzakonshme, por se tani është koha që Formula 1 të krijojë hapësirë për brezin e ri të pilotëve.

Sipas tij, një nga emrat që meriton një mundësi te Ferrari është Oliver Bearman, i cili po paraqitet pozitivisht me Haas këtë sezon. Schumacher beson se britaniku mund të bëhet një rival serioz për Leclerc nëse i jepet një vend te Ferrari.