Dialogu për normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë pritet të jetë një nga temat kryesore në takimin e rëndësishëm që ministrat e Jashtëm të Bashkimit Evropian do të zhvillojnë këtë të hënë me homologët e tyre nga vendet e Ballkanit Perëndimor.
Në tryezën e përbashkët do të marrin pjesë 27 ministrat e Jashtëm të vendeve anëtare të BE-së, si dhe përfaqësuesit e gjashtë shteteve të rajonit, në një moment kur Brukseli po kërkon të rikthejë fokusin te stabiliteti dhe integrimi europian i Ballkanit Perëndimor.
Sipas diplomatëve europianë të përfshirë në përgatitjet e takimit, Bashkimi Evropian synon të japë një shtysë të re procesit të dialogut mes Prishtinës dhe Beogradit, pasi ritmi aktual i negociatave konsiderohet i pamjaftueshëm.
“Megjithëse muajt e fundit kanë sjellë disa rezultate, dialogu ende nuk ka dinamikën që dëshirojmë të shohim”, deklaroi një diplomat europian në prag të takimit, duke shtuar se Brukseli pret angazhim më të madh nga të dyja palët.
Në fokus të diskutimeve do të jenë edhe përgatitjet për samitin BE-Ballkani Perëndimor, i cili pritet të mbahet në muajin qershor në Tivat të Malit të Zi.
Zyrtarët europianë do të diskutojnë gjithashtu për forcimin e bashkëpunimit mes BE-së dhe rajonit, harmonizimin e politikës së jashtme të vendeve të Ballkanit me atë të Brukselit, si dhe përballjen me ndikimet e jashtme në rajon.
Një rol të rëndësishëm në këtë proces pritet të ketë edhe shefja e diplomacisë europiane, Kaja Kallas, e cila ka shprehur gatishmëri për të ndërmjetësuar një rund të ri negociatash në nivel liderësh mes Kosovës dhe Serbisë.
Megjithatë, diplomatët në Bruksel pranojnë se situata politike në Kosovë dhe Serbi po e vështirëson rikthimin e dialogut në nivelin më të lartë.
Në Serbi, protestat e vazhdueshme pas tragjedisë së Novi Sadit kanë krijuar tensione të forta politike, ndërsa në Kosovë vendi vijon të përballet me krizë institucionale dhe procese të njëpasnjëshme zgjedhore.
Liderët e Kosovës dhe Serbisë nuk janë takuar në kuadër të dialogut që prej shtatorit të vitit 2023, ndërsa Brukseli po përpiqet të shmangë një bllokim të gjatë të negociatave, në një kohë kur stabiliteti i rajonit konsiderohet prioritet strategjik për Bashkimin Evropian.









