Panik në aeroportin e Katmandusë! – Avioni i “Turkish Airlines” përfshihet nga flakët; evakuohen rreth 300 persona

Momente paniku janë regjistruar në aeroportin ndërkombëtar të Katmandusë në Nepal, pasi një avion i kompanisë ajrore turke “Turkish Airlines” është përfshirë nga flakët menjëherë pas uljes në pistë.

Sipas autoriteteve të aviacionit civil nepalez, incidenti ndodhi në një avion të tipit “Airbus A330-300”, i cili kishte kryer fluturimin nga Stambolli drejt kryeqytetit të Nepalit.

Burimet zyrtare bëjnë me dije se zjarri shpërtheu në marshin e pasëm të djathtë të uljes së avionit, duke detyruar autoritetet aeroportuale të aktivizonin menjëherë procedurat e emergjencës.

Në bord ndodheshin 277 pasagjerë dhe 11 anëtarë ekuipazhi, të cilët u evakuuan me shpejtësi dhe në mënyrë të sigurt. Fatmirësisht, nuk raportohet për persona të lënduar.

Pamjet nga aeroporti tregojnë ekipet zjarrfikëse dhe automjetet e emergjencës që ndërhyjnë me shpejtësi për të neutralizuar flakët dhe për të shmangur përhapjen e zjarrit në pjesë të tjera të avionit.

Për shkak të incidentit, aeroporti ndërkombëtar i Katmandusë u mbyll përkohësisht për rreth një orë, ndërsa fluturimet u pezulluan deri në përfundimin e operacionit dhe verifikimeve të sigurisë.

Zëdhënësi i Autoritetit të Aviacionit Civil të Nepalit, Gyanendra Bhull, konfirmoi se situata u vu nën kontroll brenda një kohe të shkurtër dhe se aeroporti ka rifilluar tashmë operimet normale.

Ndërkohë, autoritetet nepaleze kanë nisur hetimet për të zbuluar shkaqet e zjarrit dhe për të përcaktuar nëse incidenti lidhet me një defekt teknik në sistemin e uljes së avionit.