Presidenti i Francës, Emmanuel Macron, ka deklaruar se Parisi zyrtar nuk ka shqyrtuar asnjëherë mundësinë e dërgimit të forcave detare në Ngushticën e Hormuzit, në një kohë kur tensionet në Lindjen e Mesme mbeten të larta dhe debatet për sigurinë e kësaj rruge strategjike janë shtuar ndjeshëm.
Deklarata e kreut të shtetit francez u bë nga Nairobi, kryeqyteti i Kenias, pas paralajmërimeve të Iranit drejtuar Francës dhe Mbretërisë së Bashkuar lidhur me çdo prani të mundshme ushtarake në zonë.
Macron theksoi se qëndrimi i Francës është i qartë dhe i pandryshuar: zgjidhjet për sigurinë në këtë korridor detar duhet të jenë të koordinuara në nivel ndërkombëtar, duke përfshirë edhe vetë Iranin si palë të rëndësishme në stabilitetin rajonal.
Ai shtoi gjithashtu se Franca kundërshton çdo formë bllokimi të Ngushticës së Hormuzit, pavarësisht nga kush mund të vijë një veprim i tillë, duke përmendur si aktorë të mundshëm si Shtetet e Bashkuara ashtu edhe Irani.
Në të njëjtën linjë, presidenti francez u shpreh kundër vendosjes së tarifave apo kufizimeve për kalimin e anijeve tregtare në këtë rrugë jetike detare, e cila konsiderohet një nga arteriet kryesore të furnizimit global me naftë.
Sipas Macron, liria e lundrimit dhe funksionimi normal i transportit ndërkombëtar duhet të mbeten të garantuara, pa barriera artificiale apo masa që rrezikojnë ekonominë globale.
“Nuk ka pasur asnjë plan për dislokim ushtarak, por ne jemi të gatshëm të kontribuojmë në sigurinë detare nëse është e nevojshme”, u shpreh Macron, duke nënvizuar se Franca dhe Britania kanë qenë pjesë e një nisme ndërkombëtare që përfshin rreth 50 vende dhe organizata, me qëllim forcimin e sigurisë në rajon.
Deklaratat e tij vijnë në një moment të ndjeshëm diplomatik, pasi Irani ka paralajmëruar se çdo prani ushtarake franceze apo britanike në Ngushticën e Hormuzit do të përballej me “përgjigje të menjëhershme dhe vendimtare”, duke rritur më tej shqetësimet për përshkallëzim të mundshëm të tensioneve në një nga pikat më strategjike të tregtisë botërore.









