“Atentati” në Sarandë/ Zbulohet shkaku i sherrit që përfundoi me viktimë – Del FOTO e “Tori” Ruçit

Detaje të reja kanë dalë nga ngjarja e rëndë që tronditi mbrëmjen e kaluar Sarandën, ku mbeti i vrarë me armë zjarri 66-vjeçari Rexhep Ismaili, pronar i një karburanti në zonën e Gjashtës.

Burime pranë hetimit bëjnë me dije se konflikti fatal dyshohet të ketë nisur pas një përplasjeje mes Kostandin Voglit dhe 50-vjeçarit Viktor Ruçi, i njohur ndryshe si “Tori Ruçi”. Panorama Online ka publikuar edhe foton e këtij të fundit, i cili rezulton person me precedentë penalë.

Sipas të dhënave paraprake, sherri ka nisur brenda lokalit në pronësi të Rexhep Ismailit, ku fillimisht palët janë konfliktuar fizikisht me sende të forta. Situata më pas ka degraduar në përdorimin e armëve të zjarrit.

Hetuesit dyshojnë se Kostandin Vogli kishte thirrur disa të rinj pasi kishte parë Viktor Ruçin në lokalin e 66-vjeçarit. Gjatë përplasjes, Vogli mbeti i plagosur në këmbë, ndërsa më pas një nga personat që ndodhej me të ka hapur zjarr, duke qëlluar për vdekje Rexhep Ismailin.

Pas ngjarjes së rëndë, Kostandin Vogli është vetëdorëzuar në polici dhe fillimisht është dërguar në spitalin e Sarandës për ndihmë mjekësore. Për shkak të gjendjes së tij dhe masave të sigurisë, ai pritet të transferohet drejt Vlorës për trajtim më të specializuar.

Ndërkohë, policia vijon kontrollet dhe hetimet intensive për identifikimin e të gjithë personave të përfshirë në konfliktin e armatosur që përfundoi me një viktimë.

Sipas raportimeve, Viktor Ruçi është me origjinë nga Tepelena dhe prej vitesh jeton në fshatin Gjashtë të Sarandës. Emri i tij është përmendur më herët në hetime që lidhen me trafik droge dhe aktivitete kriminale.