Reali hap hetim pas përleshjes mes Valverdes dhe Tchouaménit në stërvitje

Real Madrid ka nisur një hetim të brendshëm pas një incidenti serioz mes dy lojtarëve, Federico Valverdes dhe Aurélien Tchouaménit, vetëm pak ditë para “El Clásicos” ndaj Barcelonës.

Sipas mediave spanjolle, përplasja ka nisur gjatë stërvitjes së së mërkurës dhe është përshkallëzuar të enjten, duke krijuar tension të madh brenda ekipit. Raportohet se marrëdhënia mes dy lojtarëve është acaruar deri në atë pikë sa Valverde refuzoi t’i jepte dorën Tchouaménit, ndërsa situata u bë edhe më e ashpër gjatë seancës stërvitore.

Tensioni ka dalë jashtë kontrollit edhe gjatë kthimit në dhomat e zhveshjes, por ndërhyrja e shokëve të ekipit ka shmangur përshkallëzimin e mëtejshëm.

Gjatë incidentit, Valverde ka pësuar një dëmtim në fytyrë dhe është dërguar për trajtim në Spitali Blua Sanitas Valdebebas, ku ka marrë qepje. Ai është shoqëruar nga pjesëtarë të stafit të klubit.

Menjëherë pas ngjarjes është mbajtur një takim urgjent në dhomën e zhveshjes me drejtuesit e klubit, përfshirë drejtorin ekzekutiv José Ángel Sánchez. Klubi ka nisur hetim të brendshëm dhe pritet që të dy lojtarët të përballen me masa disiplinore.